**Çitaku i përgjigjet Surroit për Deklaratën e Pavarësisë: Urrejtja të humb arsyen, nuk ishte rastësi që e lexoi Thaçi**
Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, i është përgjigjur publicistit Veton Surroi, i cili në një podcast të ditës së djeshme deklaroi se ish-presidenti Fatmir Sejdiu do të duhej ta kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Në reagimin e saj në Facebook, Çitaku theksoi se “urrejtja verbon dhe ta humb arsyen.”
Ajo shtoi se “Veton Surroi paska thënë që Fatmir Sejdiu do të duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Pastaj paska shtuar se, po të ishte shpallur dy muaj më herët apo më vonë, do të ishte dikush tjetër. Pra, gjithë shqetësimi i tij mbetet pse [e lexoi] Hashim Thaçi.”
Çitaku shpjegoi arsyet pse Hashim Thaçi e lexoi Deklaratën e Pavarësisë, duke thënë se ajo vetë ka pasur nderin të drejtojë komisionin ndërinstitucional që ka bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë.
“Ka gjëra që ende janë të klasifikuara dhe nuk mund të bëhen publike për shkak të ndjeshmërisë së procesit, por po ndaj me ju ato që mund të thuhen,” shkroi ajo.
Sipas Çitakut, çdo hap dhe çdo detaj i asaj dite, “nga teksti i Deklaratës së Pavarësisë deri tek përmbajtja e koncertit të Filharmonisë së Kosovës, nuk ishte rastësor.” Ajo theksoi se “çdo gjë është kuruar me shumë kujdes dhe në koordinim të ngushtë me juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë.”
Çitaku rikujtoi se Kosova ishte “nën lupën e kundërshtarëve” dhe “çdo devijim, sado i vogël, mund të përdorej si argument kundër nesh nga Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.” Ajo shtoi se kishte “informacion të saktë nga aleatët tanë se Serbia do të bënte padi.”
Deputetja theksoi rëndësinë e pikës së parë të Deklaratës së Pavarësisë, ku thuhet: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.” Ajo argumentoi se “ky formulim nuk është i rastësishëm” dhe ishte “ndër argumentet kyçe të mbrojtjes sonë në GJND.”
“Hashim Thaçi nuk e ka fituar ‘lotarinë’ për ta shpallur pavarësinë. Ai e ka marrë mandatin nga qytetarët dhe në atë sallë ka qenë lideri më i votuar. Edhe skenari i seancës së Kuvendit është ndërtuar me kujdes të jashtëzakonshëm dhe në koordinim me juristë amerikanë,” sqaroi Çitaku.
Në pikën e dytë të argumentit të saj, Çitaku vuri në dukje se “Hashim Thaçi fatin e tij e ka shkruar vetë.” Ajo përmendi angazhimet e tij, si veshjen e uniformës së UÇK-së, kalimin e kufirit Kosovë–Shqipëri dhjetëra herë, udhëheqjen e delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe shpalljen e pavarësisë. “Me guxim dhe me vizion. Nuk e ka dhuratë nga askush,” përfundoi Çitaku, duke shtuar edhe hashtagun #LiriaKaEmër.
