**Dogana e Kosovës zbulon municion të padeklaruar në Aeroportin e Prishtinës**
Dogana e Kosovës ka ndaluar për kontroll një udhëtar gjatë kontrolleve rutinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Udhëtari, i cili mbërriti me fluturimin Hamburg – Prishtinë, kishte zgjedhur kanalin e gjelbër, të destinuar për pasagjerët që nuk kanë asgjë për të deklaruar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë skanimit të bagazhit të tij, zyrtari doganor identifikoi elemente të dyshimta, të cilat sugjeronin praninë e mallrave të ndaluara.
Si pasojë, u krye një kontroll fizik i valixhes, ku u zbuluan 11 fishekë për armë zjarri.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, u njoftua Policia e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës, e cila ndërmori veprimet e mëtejshme ligjore dhe konfiskoi municionin e gjetur.
