Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që prej ditësh po mbahen në disa qytete të vendit kundër projektit të ndërtimit në Zvërnec. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka publikuar foto të disa prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.
Në postimin e tij, kreu i qeverisë përgëzoi protestuesit për krijimtarinë e shfaqur në pankarta, duke theksuar se disa prej tyre ishin aq “të nxehta” sa nuk mund t’i publikonte për të shmangur keqkuptimet e reja. Njëkohësisht, Rama këmbënguli se projekti në Zvërnec do të shërbejë për transformimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Lidhur me këtë, Kryeministri shkruan: “RROFTË MEMEMANIA. Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove. Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë.”
