Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka përcaktuar datat për zhvillimin e proceseve zgjedhore, të cilat do të rezultojnë me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga gjykatat themelore të vendit.

Në mbledhjen e KGJK-së, kryesuesi Rrustem Thaqi njoftoi se ishte miratuar vendimi për organizimin e zgjedhjeve për kandidatin e nominuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Për kandidatët e nominuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të cilët do të bëhen anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zgjedhjet do të mbahen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 16 qershor, ditën e martë, duke filluar nga ora 13:30. Miratohet lista e gjyqtarëve që kanë të drejtë vote në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Miratohet forma e fletëvotimeve për raundin e parë dhe, eventualisht, raundin e dytë që do të përdoret në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Miratohet forma e raportit të komisionit që do të përdoret në raundin e parë dhe, eventualisht, në raundin e dytë në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar për anëtar të KGJK-së nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Miratohet forma e raportit të zyrtarit të autorizuar nga Sekretariati i KGJK-së që do të përdoret në procesin e zgjedhjes së kandidatit të nominuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Dhe vendimi hyn në fuqi më 9 qershor 2026,” deklaroi Thaqi.

Sipas kalendarit të miratuar, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së do të vijojë edhe në gjykatat e tjera themelore.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, zgjedhjet do të mbahen më 17 qershor, duke filluar nga ora 10:00, ndërsa po atë ditë, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, procesi do të nisë nga ora 14:00.

Më 18 qershor, zgjedhjet do të zhvillohen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga ora 10:00 dhe në Gjykatën Themelore në Pejë nga ora 14:00.

Ndërkaq, në Gjykatën Themelore në Prizren, procesi zgjedhor do të mbahet më 19 qershor, me fillim nga ora 11:00.

Pas përfundimit të këtyre proceseve zgjedhore në nivel të gjykatave themelore, tubimi final zgjedhor do të mbahet më 23 qershor, nga ora 13:00, ku pritet të finalizohet përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.