**BE: Kosova të përshpejtojë reformat për 880 milionë euro nga Plani i Rritjes**

**Prishtinë –** Eva Palatova, ushtruesja e detyrës së shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Megjithatë, ajo theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të reformave dhe vënies në funksion të plotë të institucioneve, për të përfituar nga ky potencial.

Palatova theksoi rëndësinë e zhvillimit të një sektori privat të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë thelbësor për zhvillimin socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Ajo shtoi se Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) janë motorë kyç të rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, krijimit të vendeve të punës, zhvillimit të aftësive dhe inovacionit.

“Në kuadër të Planit të Rritjes, 880 milionë euro gjatë tre viteve janë të gatshme të investohen në Kosovë në shkëmbim të reformave,” tha ajo. Kosova ka paraqitur një agjendë ambicioze reformash në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit të biznesit. Kjo agjendë përfshin shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa, që synojnë promovimin e investimeve dhe eksporteve, thjeshtimin e kornizës rregullatore dhe nxitjen e inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

Ajo theksoi se ritmi i reformave duhet të përshpejtohet ndjeshëm, duke pasur parasysh se agjenda e reformave është miratuar në fund të vitit 2024 dhe tani, në verën e vitit 2026, po përfundon periudha e parë e tolerancës, e cila do të shërbejë për të matur zyrtarisht progresin e Kosovës. “Prandaj, shpresojmë shumë që institucionet politike të Kosovës së shpejti do të bëhen plotësisht funksionale, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky potencial,” tha Palatova.

Marzena Kisielewska, Drejtoresha e Divizionit të Evropës Juglindore të OECD-së, shpjegoi se vlerësimi i organizatës për NVM-të bazohet në standardet evropiane dhe Aktin për Bizneset e Vogla të Evropës, duke synuar afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se metodologjia e vlerësimit është ndryshuar për të pasqyruar më mirë reformat dhe ndryshimet reale në ekonomitë e rajonit. Kjo qasje e re, revolucionare, përdor grupime në vend të qasjes lineare dhe përfshin dimensionet e tranzicionit digjital dhe atij të gjelbër të NVM-ve.

Nga ana e tij, Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti, vlerësoi dokumentin si një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe sektorit privat. Ai theksoi rolin e rëndësishëm të OECD-së në mbështetjen e qeverive për adresimin e sfidave ekonomike, sociale dhe zhvillimore, duke promovuar politikat e bazuara në standarde ndërkombëtare, praktika të mira dhe bashkëpunim më të mirë rajonal.

Mehmeti rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për harmonizimin e politikave të saj me standardet e Bashkimit Evropian dhe të OECD-së. Ai shtoi se ministria synon të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme, inovative dhe rezistente ndaj sfidave, përmes politikave mbështetëse për bizneset dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.