Të zhgënjyer nga mungesa e zhvillimit, të lodhur nga zgjedhjet që nuk japin zgjidhje, qytetarët e Kosovës, me mospjesëmarrjen masive prej 63% në procesin e ri elektoral, i dhanë një karton të kuq partive politike më 7 qershor.
Shkruan: Muhamet Bytyçi
Ky rezultat duhet të lexohet me vëmendje nga politika. Mungesa në kutitë e votimit është protestë që lehtësisht mund të shfaqet në shesh. Nëse politikanët, që janë të thirrur të gjejnë zgjidhje që Kosova të ketë institucionet e saj demokratike, nuk e bëjnë këtë, atëherë rruga e vetme mbetet rruga.
Për të mos e thelluar krizën, partia politike Lëvizja Vetëvendosje, e cila po e teston kapjen totale tash e disa herë, është mirë të bëjë një tërheqje nga ideja që Kosova mund të bëhet shtet njëpartiak dhe i dominuar nga një individ. Ajo duhet t’i kthehet tavolinës së kompromisit për të gjetur zgjidhje, që do të nënkuptonin një ndarje pushteti me njërën nga subjektet e tjera politike shqiptare, duke i përfshirë edhe minoritetet.
Qeveria e ardhshme, për shkak të sfidave që e presin, duhet të ketë mjaftueshëm numra në Kuvend për t’i kaluar të gjitha ligjet, reformat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ose të hapë rrugë për një qeveri nga opozita.
Kosova ka nevojë urgjente të gjejë zgjidhje për presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe të plotësojë shumicën e pozitave drejtuese në institucionet ku sot kemi ushtrues detyre. Institucionet kërkojnë stabilitet, drejtues me mandat të rregullt, përgjegjësi dhe reforma.
Kosovës i duhet të mbyllë dialogun me Serbinë dhe të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare. E gjithashtu i ka të domosdoshme reformat dhe mobilizimin për absorbimin e fondeve të BE-së, të cilat seriozisht rrezikohen për fajin tonë.
Reforma urgjente duhen edhe në arsim e shëndetësi, në administratë publike dhe në ekonomi. Sikuese edhe strategji dhe investime urgjente në energji. Pa lënë anash luftën ndaj korrupsionit, hapjen e konkurrencës dhe mbylljen e derës së kontratave njëburimore, të cilat gjatë këtyre viteve kanë qenë burim i lulëzimit të korrupsionit!
Nëse partia politike që ka fituar shumicën, mbi 42% të votave që tashmë janë numëruar nuk tregon vullnet dhe nuk bëhet nismëtare serioze për zgjidhjen e krizës, të cilën e ka krijuar drejtpërdrejt ose tërthorazi vetë, atëherë Kosova do të humbë shumë, e bashkë me të edhe qytetarët e saj.
Çdo zvarritje është humbje dhe çdo humbje do të bjerë në kurrizin e qytetarëve të Kosovës, Republikës së Kosovës dhe të ardhmes së saj.
(Autori eshtë stidiues i shkencave politike dhe Master në Politika Publike dhe Menaxhim)
