Ish-krerët e UÇK-së në Hagë ngushëllojnë familjen Jashari: Jeta dhe vepra e Sahit Jasharit, pjesë e historisë kombëtare
Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët gjenden në paraburgim në Hagë, i kanë shprehur ngushëllime familjes Jashari pas ndarjes nga jeta të ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari.
Krasniqi ka njoftuar se përmes një telefonate të zhvilluar sot në mëngjes, të paraburgosurit i kishin kërkuar atij t’ia përcjellë familjes Jashari telegramin e ngushëllimit.
Më poshtë është teksti i plotë i telegramit të ngushëllimit, i bërë publik nga Altin Krasniqi:
“Të nderuar familjarë të zotit Sahit Jashari,
Të nderuar bashkëkombës,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të lirisë dhe heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.
Jeta dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ai i shërbeu atdheut në ditët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë.
Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Jashari, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarin Sahit Jasharin dhe e paharruar vepra e tij në shërbim të lirisë dhe atdheut.
Me respekt,
Bashkëluftëtarët e zotit Sahit Jashari
Hagë, 12 qershor.”
