Tifozët e Djurgardenit festojnë humbjen e ekipit të tyre – zbulohet arsyeja e pazakontë

Tifozët e skuadrës suedeze Djurgarden festuan gabimin nga pika e bardhë dhe disfatën e ekipit të tyre në një ngjarje të pazakontë të dielën, e cila ka tronditur futbollin suedez. Arsyeja e këtij veprimi të paprecedentë qëndron në rivalitetin e thellë me Hammarbyn, rivalin e tyre të përbetuar në garën për titull.

Këtë fundjavë u zhvillua xhiroja e parafundit e Allsvenskan, elitës së futbollit suedez, ku Djurgarden u përball me Siriusin në Uppsala. Kjo ndeshje kishte rëndësi të madhe për garën e titullit, pasi Sirius ndodhej në barazim pikësh me Hammarbyn. Djurgarden, e pozicionuar në vendin e tretë, lufton për një vend në garat evropiane dhe nuk ishte pjesë e garës për titullin kampion.

Megjithatë, tifozët e Djurgardenit, të nxitur nga një rivalitet i ashpër me Hammarbyn – dy skuadra nga Stokholmi që ndajnë të njëjtin stadium, por jo shpirtin sportiv – dëshironin humbjen e ekipit të tyre. Kjo armiqësi e thellë ishte aq e madhe saqë ata festuan hapur edhe dështimin e lojtarit të tyre nga pika e bardhë.

Në minutën e 11-të, Kristian Lien, një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit, pati mundësinë të kalonte Djurgardenin në epërsi nga pika e bardhë. Në kushte të vështira me borë, që rrezikonin ndërprerjen e ndeshjes, 25-vjeçari e dërgoi topin jashtë portës. Në një skenë të paprecedentë, shumë prej tifozëve mysafirë, të pozicionuar pas portës, shpërthyen në brohoritje dhe festime për penalltinë e humbur. Vetë Lien mohoi kategorikisht çdo sugjerim se gabimi ishte bërë qëllimisht.

Më vonë, në minutën e 43-të, Matthias Nartey shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Realizimi u festua nga të dyja tifozeritë: nga ajo e Siriusit për epërsinë, dhe nga ajo e Djurgardenit me të njëjtin entuziazëm, pasi ky gol dëmtonte drejtpërdrejt shanset e Hammarbyt për titull.

Sirius, pavarësisht formës jo të mirë së fundmi (vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit), arriti të ruante epërsinë dhe të fitonte tre pikë jetike për vazhdimin e garës për titull. Megjithatë, fati për titull mbetet në duart e Hammarbyt, e cila, me një fitore ndaj Goteborgut të hënën në mbrëmje, mund të rikthehej në krye të renditjes falë goldallimit superior.

Sjellja e tifozëve shkaktoi një përçarje të madhe me futbollistët e Djurgardenit, të cilët refuzuan t’i duartrokisnin në fund të ndeshjes. Portieri Jacob Rinne shprehu hapur zhgënjimin, duke akuzuar tifozët se nuk e mbështetën ekipin, por përkrahën kundërshtarin. “Sinqerisht, sot nuk e di për çfarë duhet t’i falënderojmë,” deklaroi ai për “Fotbollskanalen”. “Është vërtet e trishtueshme, edhe pse e respektoj plotësisht mënyrën si ndihen ata. Sot nuk ishin në anën tonë. Nëse udhëtoni deri në Uppsala, ndoshta duhet të vini këtu për të na përkrahur neve, në vend që të qëndroni aty duke festuar kur ne humbim një penallti ose kur shënon kundërshtari. Mendoj se atëherë më mirë do të ishte të festonit në shtëpi.”

Edhe kapiteni Adam Stahl kritikoi ashpër mentalitetin e tifozëve, duke theksuar: “Ne nuk kemi mentalitetin e festimit të një humbjeje dhe kështu dukej se po vepronin ata. Nuk jemi të bashkuar. Ka një përplasje mes nesh. E kuptoj se si ndihen tifozët, por unë jam kapiteni i kësaj skuadre dhe dua ta udhëheq ekipin drejt fitores.”

Sirius, që kërkon titullin e parë kampion në historinë e klubit, tani varet nga një hap fals i Hammarbyt në dy ndeshjet e mbetura. Ndërkohë, Djurgarden ndan të njëjtat pikë me Hackenin në vendin e katërt, por ruan pozicionin falë goldallimit më të mirë, duke vazhduar luftën për garat evropiane.