Tensionet në Gjirin Persik: SHBA shqyrton marrjen e ishujve iranianë strategjikë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar për veprime të mundshme ndaj ishullit iranian Harg, një terminal kyç nafte dhe qendër thelbësore për ekonominë e vendit. Megjithatë, edhe tre ishuj të tjerë iranianë në Gjirin Persik njihen si po aq strategjikë në përpjekjet për t’i bërë presion Teheranit që të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz.

Këta tre ishuj të vegjël – Abu Musa, Tunbi i Madh dhe Tunbi i Vogël – ndodhen pranë hyrjes së ngushticës 39 kilometra të gjerë, duke u dhënë atyre një rëndësi të veçantë strategjike. Ndonëse ishujt janë nën kontrollin e Teheranit, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pretendime territoriale të hershme mbi ta.

Media amerikane Axios raportoi më 26 mars se Pentagoni po përgatit një sërë opsionesh ushtarake për një “goditje përfundimtare” të mundshme ndaj Iranit, përfshirë marrjen e Abu Musas dhe dy ishujve të tjerë. Sipas Axios, në diskutim janë edhe kapja e ishujve të tjerë iranianë, si Keshm, Larak dhe Hark. Irani zotëron mbi 400 ishuj përgjatë bregdetit të tij jugor.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kërkoi një koment nga Shtëpia e Bardhë, e cila iu përgjigj duke përcjellë një deklaratë të zëdhënëses Karoline Leavitt nga 21 marsi. Në atë deklaratë, Leavitt tha: “Është puna e Pentagonit që të bëjë përgatitje për t’i dhënë komandantit të përgjithshëm maksimumin e opsioneve. Kjo nuk do të thotë se presidenti ka marrë një vendim dhe, siç ka thënë presidenti së fundi në Zyrën Ovale, ai nuk planifikon të dërgojë trupa tokësore në asnjë vend për momentin”.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, shkroi në X (ish-Twitter) më 25 mars se shërbimet informative iraniane kanë indikacione se “armiqtë e Iranit, me mbështetjen e një shteti në rajon, po përgatisin një operacion për të pushtuar një nga ishujt e Iranit”. Kjo deklaratë u interpretua si referencë për ishullin Abu Musa, dhe Irani pretendon se Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ndihmojnë SHBA-në në marrjen e ishullit.

Ndonëse njihen ndërkombëtarisht si pjesë e Iranit, ishujt pretendohen edhe nga Emiratet. Teherani mori kontrollin e këtyre territoreve vetëm një ditë para krijimit të Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 1971, pasi deri atëherë ishin nën protektoratin britanik. Abu Musa, me rreth 2.000 banorë, është ishulli më i madh, ndërsa dy ishujt e tjerë janë kryesisht të pabanuar dhe shërbejnë si baza detare dhe ushtarake.

**Taktikë Presioni**

Që prej nisjes së konfliktit më 28 shkurt, çmimet e naftës dhe gazit janë rritur ndjeshëm, pasi Irani ka mbyllur efektivisht ngushticën, përmes së cilës kalon një e pesta e dërgesave globale të këtyre burimeve. SHBA-ja mund të marrë kontrollin e ishujve me qëllim thyerjen e bllokadës iraniane ndaj anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, duke shpresuar kështu në uljen e çmimeve të naftës.

Sipas ekspertëve, kapja e këtyre tre ishujve strategjikë mund t’i ofrojë Uashingtonit edhe një kartë negociuese në çdo marrëveshje të mundshme me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit.

Mohammad Farsi, ish-zyrtar ushtarak iranian i stacionuar në ishullin Harg para Revolucionit Islamik të vitit 1979, theksoi për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se “gjasat që ata të synojnë të pushtojnë këta ishuj janë shumë të larta”. Dislokimi i dy njësive amerikane të ekspeditës, me mijëra marinsa, anije mbështetëse dhe aeroplanë, ka shtuar spekulimet se Trump mund të urdhërojë pushtimin e ishujve.

**A do të kishte sukses?**

Megjithatë, Farsi shprehu skepticizëm se kapja e Abu Musas, Tunbit të Madh dhe Tunbit të Vogël do të arrinte qëllimin e deklaruar për të mbajtur ngushticën hapur për cisternat e naftës. Ai argumentoi se “kërcënimi nga Irani nuk kërkon anije apo mjete detare; Irani mund të sulmojë nga distanca me dronë dhe raketa”. Sipas Farsit, për sa kohë infrastruktura iraniane e raketave dhe dronëve mbetet e paprekur në territorin iranian, asnjë garnizon në ishuj apo forcë shoqëruese detare nuk mund të garantojë në mënyrë të besueshme kalimin e sigurt përmes ngushticës.

H.A. Hellyer, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara dhe Studime të Sigurisë, theksoi se udhëheqja e Iranit e shikon Ngushticën e Hormuzit si një levë: “një mekanizëm presioni që ndikon në tregjet globale të energjisë dhe opinionin ndërkombëtar”. Prandaj, kontrolli i këtyre tre ishujve nga Shtetet e Bashkuara do të kishte rëndësi “gjeografike dhe strategjike”.

Ai shpjegoi se “këta ishuj ndodhen pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më kritike detare në botë. Kontrolli mbi ta ka implikime për rrugët e transportit detar, dërgesat e energjisë dhe pozicionimin e mundshëm ushtarak në çdo skenar që përfshin rihapjen ose sigurimin e Ngushticës”, duke theksuar se nuk po sugjeronte një veprim të tillë nga SHBA-ja.

“Përfundimisht, këta ishuj nuk janë periferikë. Ata ndodhen në kryqëzimin e mosmarrëveshjeve territoriale, sigurisë detare, tregjeve të energjisë dhe aleancave në zhvillim në Gjirin Persik. Çdo veprim që përfshin këta ishuj do të riformësonte peizazhin strategjik rreth Hormuzit”, përfundon raportimi i Radio Evropa e Lirë.