**Presidenti Begaj në Heshtje Gjatë Protestave: Një Krizë Autoritetesh Morale**
Presidenti Bajram Begaj ka qenë institucioni më i distancuar nga protestat 12-ditore. Ai vetë, me autoritetin zyrtar, nuk ka ndërhyrë, ndërsa në këto ditë të mbushura me entuziazëm, emocione, kritika dhe ofendime, ai pothuajse është harruar. Kjo situatë, si për Presidentin ashtu edhe për protestuesit dhe të gjithë shoqërinë, nxjerr në pah një fakt të dhimbshëm: mungesën e një autoriteti moral në Shqipëri, të cilit t’i drejtoheshim me besim të plotë.
Nuk kemi më figura publike me peshën, respektin dhe prestigjin ndërkombëtar të një Ismail Kadareje. Feja, me gjithë nderimin që meriton, nuk mund ta luajë këtë rol. Një përjashtim, sado i pjesshëm, mund të jetë studiuesja e re e filozofisë politike, Lea Ypi, botimet dhe shkrimet e së cilës po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. Megjithatë, edhe për të, xhelozia e krijuar kufizon ndjeshëm ndikimin e saj. Akademia e Shkencave, prej vitesh, nuk e ka kryer dot këtë rol, pasi gjendet në një pozicion ku i intereson të mbajë marrëdhënie të mira me Legjislativin, pavarësisht se kryetari i saj, Gjinushi, zgjidhet nga Presidenti. Ky i fundit, megjithë profilin modest që mban, mbetet shumë larg pritshmërive të shqiptarëve.
Në fakt, Presidenti Begaj ka të drejtë të mbrohet, sidomos pas dështimit të hartimit të Ligjit Organik për Presidentin, duke u mbështetur te funksionimi dhe kompetencat e institucionit, të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet ekzistuese procedurale. Por, neni 86 i Kushtetutës, i cili mund të shërbente si preambulë për Ligjin Organik, parashtron qartë: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.” Në këto ditë, ky rol është më shumë se një motiv; përbën një detyrim, sidomos përballë një parlamenti ku gjuha dhe ofendimet janë të pafre. Në një moment kur protesta po rritet dita-ditës në pjesëmarrje dhe ende nuk është afër shfaqja politike e protestuesve (nëse do të ketë), shteti ka nevojë për një negociator me autoritet të plotë.
Presidenti duhet të ndërhyjë, si njohës, si negociator dhe mbi të gjitha si simbol i Unitetit. Ai ka të gjithë autoritetin zyrtar, e para për t’i shërbyer Ligjit që i jep atributet për ta bërë këtë (qoftë edhe në mënyrë të paqartë), dhe e dyta si nevojë e këtij momenti. Pas kthesës së viteve ’90, vendi nuk ka pasur kurrë një angazhim të tillë publik të shqiptarëve, por edhe një paqartësi të tillë, për mënyrën sesi do të kanalizohet e gjithë kjo energji proteste, si dhe për një mundësi në të ardhmen që publiku të dëgjohet direkt nga Presidenti i tij. Faktikisht dhe shqetësueshmërisht, Presidenti Begaj është “kursyer” nga protestuesit nga kritikat dhe memet, por frikshmërisht është “harruar”.
Është e qartë se, në raste të tilla, strukturat e Presidencës mund të thonë se institucioni i Presidentit, në përputhje me nënparagrafin H të Ligjit nr. 92, ka ushtruar të drejtën e vet në qasje me institucionet. Për publikun, ky nënparagraf thotë: “(Presidenti) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”. Mënyra sesi kanë rrjedhur ngjarjet tregon se shumë gjëra mungojnë nga institucionet, gjë që vihet re në paqartësinë rreth pronave në Zvërnec; Ligjit të Zonave të Mbrojtura; atij për Investimet Strategjike dhe sidomos rreth historisë së investimit të Jared Kushner.
Kur mungojnë reagimet e duhura të institucioneve, nuk kanë se çfarë t’i referojnë Presidentit. Në rastin më të keq, ato do të duhej të bënin reagime (përjashtohet policia me masat e marra dhe licencat e hequra); në rastin më të mirë, Presidenti do të duhej të kërkonte llogari. Aktualisht, peshën e përgjegjësisë po e mban Kryeministri Rama, madje edhe zemërimin e turmës në protestë, e cila si parullë kryesore ka: “Rama, ik”. Për të mos e lënë të qetë, i kanë shtuar edhe emrin e z. Berisha, duke e rimuar me të: “Rama, ik; Berisha, ik”. Ndërsa z. Rama po përballet me një tension aspak normal dhe humbjen e madhe të qetësisë, strukturat e tjera qeveritare duken të paralizuara, gjë që kuptohet me të gjithë historinë e Zonave të Mbrojtura dhe shumë çështjeve të tjera, ku zyrtarët kanë treguar konfuzion për sa i përket investimeve dhe, mbi të gjitha, kaosit të pronave në Vlorë.
Në këtë rast, të vjen ndërmend një thënie e presidentit të njohur Ruzvelt për zyrtarët që në momentet e vështira dhe konfuze heshtin: “Patriotizëm do të thotë të qëndrosh pranë vendit të duhur. Nuk do të thotë të qëndrosh thjesht pranë presidentit ose ndonjë zyrtari tjetër publik.” Ky duhet të jetë një nga shqetësimet më të mëdha sot për Ramën, por edhe për publikun që po mbushin sheshin në një solidaritet, i cili jo thjesht meriton vëmendje, por edhe interpretim social, antropologjik dhe, mbi të gjitha, politik.
Koha do të na tregojë sesa efikase kanë qenë ndikimet e huaja. Zyrtarët flasin për ndërhyrje greke (megjithë takimet e fundit të niveleve të larta greko-shqiptare); Rama ka akuzuar direkt Iranin, por më parë ishin dhe serbët dhe të tjerë. Sot, në këtë amulli, përgjegjësia mungon nga të gjithë: nga protestuesit që e projektojnë si përgjegjësi kombëtare përmes sloganeve si “Shqipëria e re”, “Revolucion”, etj.; nga Ekzekutivi që i shpërfill protestat (z. Rama merret me influencerat, ndërkohë që protesta rritet, ndërkohë që pushteti i tij i përdor shpesh ata për sukseset e pamata); dhe mbi të gjitha nga heshtja e Presidentit të vendit.
Është e vërtetë se Presidentët në shumicën e vendeve të Ballkanit janë strukturalisht të dobët, e para sepse veprojnë brenda republikave parlamentare. Ndaj, pushteti i Ramës tek ne dhe ai i Kurtit në Kosovë është gjithnjë e më i madh (edhe pse në Kosovë, Presidentja Osmani ka atribute në politikën e jashtme, të cilat i ka përdorur me sukses). Dihet se tek ne Presidenti shërben kryesisht si kryetar shteti ceremonial dhe jo si drejtues politik. Kjo e bën z. Begaj të jetë tejet larg dhe jo aktiv për publikun e gjerë. Ky lloj sistemi është shumë i njohur në Ballkan dhe shtrihet edhe në Greqi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe presidencën e Bosnjë-Hercegovinës, vende që përdorin sisteme ku parlamenti zgjedh qeverinë. Kryeministri drejton politikën e brendshme, kontrollon buxhetin dhe komandon shumicën legjislative. Ka ndodhur që disa Presidentë të Ballkanit kanë vonuar legjislacionin duke i dërguar projektligjet përsëri në parlament për rishqyrtim, por ata nuk mund t’i bllokojnë ato përgjithmonë. Një shumicë e thjeshtë parlamentare zakonisht mund të anashkalojë një veto presidenciale, dhe rasti me ish-presidentin Meta na mësoi shumë në këtë aspekt.
Në argumentin tonë, nëse Presidenti Begaj do të dilte dhe t’i jepte vetes më shumë hapësirë në moralin politik, të cilin ia njeh autoriteti i tij, do të kishte mirëkuptim; ndërkohë që patjetër do të përplasej me Ramën (e vetmja gjë që Kryeministri nuk e imagjinon). Por, Shqipëria është mbi të gjitha dhe vjen një moment kur roli i tij vërtet duhet. Mijëra protestuesit tashmë kanë treguar se e vetmja gjë që mungon mes tre P-ve: Presidentit, Protestuesve, është P-ja e madhe e përgjegjësisë. Edhe këtu kemi një paradoks, sepse maxhoranca propozoi një draftligj organik për Presidentin, por opozita, në vazhdën e bllokimit të çdo gjëje, gjeti justifikimin se Presidenti mund të tejkalonte balancën kushtetuese dhe gjithçka u bllokua. Ja ku jemi sot, kur na duhet një autoritet moral dhe Presidenti hesht, ligji e justifikon, ndërsa morali e kërkon. Pra, duhet një negociator për protestuesit e mbledhur në shesh. Historiani Timothy Snyder, në librin e tij “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë” (Shtëpia e Librit, përktheu Gj. Erebara) shprehet në një nga leksionet e tij: “Historia na lejon të jemi përgjegjës: jo për gjithçka, por për diçka… Historia na jep shoqërinë e atyre që kanë bërë dhe vuajtur më shumë se ne.” Një mësim që duhet respektuar, të paktën nga Presidenti Begaj, si përfaqësues i lartë i shtetit.
