Filmi më i ri i regjisores kosovare, Blerta Basholli, “DUA”, do të prezantohet në edicionin e 22-të të Zurich Film Festival, i cili zhvillohet nga 24 shtatori deri më 4 tetor 2026 në Cyrih të Zvicrës.
Pjesëmarrja në festival përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të filmit, i cili sjell në qendër një histori të vendosur në Prishtinë, në fund të viteve ’90, në prag të luftës në Kosovë.
Filmi përmban edhe elemente të frymëzuara nga përvojat personale të regjisores, e cila ishte adoleshente gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Zurich Film Festival mbledh çdo vit në Cyrih produksione të reja ndërkombëtare, talente të reja dhe emra të njohur të kinematografisë botërore, duke shërbyer edhe si një pikëtakim për regjisorë, aktorë, producentë dhe profesionistë të industrisë së filmit.
Pas festivalit, “DUA” do të nisë shfaqjen në kinematë e Zvicrës më 15 tetor 2026, me distribucion nga Frenetic Films.
Filmi do të ketë katër shfaqje në kuadër të Zurich Film Festival: • E hënë, 28 shtator, ora 17:45 – Kinokoni 6 • E martë, 29 shtator, ora 15:15 – Kinokoni 6 • E premte, 2 tetor, ora 18:00 – Kinokoni 3 • E shtunë, 3 tetor, ora 20:30 – Kinokoni 6.
