Një përballje tejet dramatike dhe plot emocione po zhvillohet në “Cardiff City Stadium” mes Uellsit dhe Portugalisë, e vlefshme për Grupin 4 të Ligës A në Ligën e Kombeve, ku luzitanët po udhëheqin 2-3 në minutën e 85-të, por po luajnë me një futbollist më pak në fushë.

Pasi pjesa e parë u mbyll me barazim spektakolar 2-2 — me golat e Bruno Fernandes (11′) dhe Pedro Netos (43′) për mysafirët, si dhe të David Brooks (13′) e Sorba Thomas (40′) për vendasit — fraksioni i dytë solli tension të lartë, kartonë të shumtë dhe kthesë të rezultatit.

Portugalia arriti të rikthejë epërsinë në minutën e 70-të me anë të Carlos Forbs, i cili shënoi për 2-3. Mirëpo, gëzimi i portugezëve u zbeh vetëm katër minuta më vonë. Sulmuesi Pedro Neto, autor i golit të dytë për luzitanët, mori dy kartonë të verdhë brenda dy minutash (72′ dhe 74′), duke u përjashtuar nga loja me karton të kuq dhe duke e lënë kombëtaren e tij me 10 lojtarë në minutat vendimtare.

Përveç përjashtimit të Netos, pjesa e dytë ka qenë e ashpër dhe e ngarkuar me ndërhyrje të shpeshta, ku gjyqtari u detyrua të ndëshkojë me kartonë të verdhë edhe Ben Cabangon (51′) dhe Josh Sheehanin (62′) te Uellsi, si dhe Francisco Trincãon (53′) te Portugalia. /IndeksOnline/