**Nga banditi te paraziti: Anatomia e shtetit shqiptar**

**Shkruar nga: Adri Nurellari**

Ndër shpjegimet e ndryshme që diskutohen për zanafillën e shtetit, veçohet ajo e Mancur Olson, i cili ka nxjerrë një teori që çmonton çdo iluzion romantik mbi “kontratën sociale”, për ta zëvendësuar me logjikën e ftohtë të grabitjes nga “banditët”. Për mendimtarët klasikë, duke nisur nga Hobbes, Locke dhe Rousseau, shteti zakonisht paraqitet si një histori morali që e sheh atë si produkt të arsyes dhe pëlqimit. Sipas tyre, njerëzit, duke dashur t’i japin fund kaosit të “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, heqin dorë vullnetarisht nga liria individuale te një mekanizëm kolektiv për të garantuar rend, siguri dhe drejtësi. Megjithatë, kjo qasje normative është vënë në pikëpyetje që herët nga skepticizmi i David Hume dhe më pas nga qasja empirike e Olsonit, me argumentin se shteti nuk lind nga marrëveshja, por krijohet si rezultat i forcës, interesit dhe organizimit të dominimit.

Sipas Olsonit, në territoret pa shtet, kishte fshatra që grabiteshin herë pas here nga bandat endacake, prandaj edhe njerëzit prodhonin vetëm aq sa për të mbijetuar, sepse e dinin që çdo tepricë mund t’u merrej nesër nga ‘banditi endacak’. Në këtë kaos shfaqet një bandit dominues, i cili kupton se shkatërrimi i burimit e varfëron rrjedhimisht edhe vetë grabitësin. Në një moment, ai ndalon dhe mendon se, nëse qëndron, eliminon rivalët dhe vendos njëfarë rregulli e stabiliteti, njerëzit do të prodhojnë më shumë dhe ai mund të marrë një pjesë të konsiderueshme të këtij prodhimi të shtuar çdo vit. Kështu, ai ndalon së qeni një kusar endacak në kërkim të plaçkës dhe transformohet në një sundues të qëndrueshëm që vendos rend e taksa, mbron minimalisht pronën, kryen disa punë publike për komunitetin dhe ndëshkon dhunën e të tjerëve. Të gjitha këto nuk i bën sepse papritur është bërë më i mirë, por thjesht sepse ka kuptuar që kështu është më fitimprurëse për të. Pra, për Olsonin, shteti embrional nuk është gjë tjetër veçse një optimizim i shfrytëzimit, që vjen nga transformimi prej “banditit endacak” që vjedh dhe ikën, duke lënë pas shkretëtirë, në “bandit të qëndrueshëm”.

Por, kjo teori nuk është vetëm një shpjegim historik. Ajo është një mjet për të kuptuar pse disa shtete funksionojnë dhe të tjerë ngecin në një gjendje të përhershme tranzicioni. Diferenca mes një shteti që prosperon dhe një shteti që dështon varet edhe nga perspektiva kohore e sunduesit. Nëse autokrati beson se do të qëndrojë në pushtet gjatë, ai ka interes të rrisë produktivitetin e ekonomisë që kontrollon dhe qëllimisht mbledh më pak sot për të pasur më shumë nesër. Por, nëse ai ndjen se pozita e tij lëkundet, ai kthehet te logjika e grabitësit endacak: “merr çfarë të mundesh, sa më shpejt të mundesh, përpara se të vijë tjetri”. Ky është momenti ku teoria e Olsonit përballet me realitetin shqiptar, duke pësuar një ndryshim që ai ndoshta nuk e parashikonte dhe që lidhet me faktin se elitat që kontrollojnë vendin gjenerojnë pasuri këtu, por të ardhmen e projektojnë jashtë shtetit.

Shqipëria sot duket se është ngecur pikërisht në këtë pikë. Problemi nuk është mungesa e shtetit. Problemi është se ata që kanë më shumë pushtet dhe kapital kanë gjetur një mënyrë për të përfituar prej tij pa qenë të lidhur me të ardhmen e tij. Në letër, shteti funksionon sepse formalisht ka institucione, ka rregulla, ka një farë kontrolli mbi forcën dhe një sistem taksash, pra faza e “banditit endacak” duket sikur është lënë pas. Por mënyra si mendojnë dhe veprojnë elitat nuk është plotësisht ajo e një pushteti afatgjatë që investon te vendi. Përkundrazi, kemi një elitë që po qëndron gjatë në pushtet, por sillet sikur është e përkohshme ndaj vetë Shqipërisë, që e sheh territorin jo si atdhe, por si aset në likuidim, duke e zhvatur në thelb, çfarëdo dhe sa të mundet.

Për ta kuptuar këtë, duhet parë mbi të gjitha sjellja e elitës ekonomike. Ndryshe nga kapitalizmi prodhues klasik (ku fitohet përmes inovacionit dhe meritës), elita jonë shpesh operon përmes marrjes së licencave, tenderave apo lejeve të ndërtimit, pra, duke përfituar “rentë” nga asetet publike. Kjo shpjegon pse ata nuk kanë nevojë për institucione të forta, sepse është e qartë se renta kërkon afërsi me pushtetin, jo konkurrencë tregu.

Në vitet e fundit, është kthyer pothuajse në një element identitar për sipërmarrësit më të mëdhenj shqiptarë të dëshmojnë për investimet e tyre në SHBA, Austri, Itali apo Greqi. Nuk është thjesht diversifikim; është një formë prestigji. Në të njëjtën kohë, familjet e tyre jetojnë gjithnjë e më shumë jashtë, fëmijët studiojnë në universitete perëndimore dhe shpesh nuk kthehen, ndërsa shtetësitë e dyta janë kthyer në një aset strategjik.

Paralelisht, “Largimi” (Exit) nuk është vetëm fizik (emigrimi), por edhe institucional. Kur elita krijon “ishuj” sigurie (lagje të rrethuara me roje, spitale private, shkolla private), ajo praktikisht është shkëputur nga shteti pa u larguar nga territori. Ata jetojnë në një Shqipëri paralele që nuk ka lidhje me atë të qytetarit të thjeshtë.

Kur elita nuk përdor vetë sistemin publik të arsimit, nuk ka nxitje të forta për ta përmirësuar atë; kur nuk përdor sistemin shëndetësor vendas, nuk ka urgjencë për reforma. Po ashtu, kur jeton pjesërisht jashtë në Vjenë, Londër apo Dubai, lidhja e saj me hapësirën natyrore, urbane dhe sociale të vendit dobësohet. Kështu, krijohet një shkëputje e thellë ndërmjet atyre që marrin vendimet dhe atyre që përjetojnë pasojat e tyre. Kjo lidhet me konceptin e “rrezikut personal në lojë” (skin in the game), siç e thekson Nassim Taleb, që nënkupton se vendimmarrësit duhet të mbajnë edhe pasojat e vendimeve të tyre. Kur elitat nuk jetojnë me pasojat e sistemit (sepse kanë sigurinë, shërbimet cilësore dhe të ardhmen jashtë shtetit) ato humbasin interesin për ta ndërtuar Shqipërinë dhe fokusohen vetëm te shfrytëzimi i saj.

Këtu metafora e Olsonit shndërrohet në diçka më ogurzezë: nga banditi te paraziti. Banditi i qëndrueshëm, të paktën, donte që organizmi të jetonte gjatë, të rritej, pasi në këtë mënyrë prodhonte më shumë. Paraziti modern ka një logjikë tjetër: maksimizon nxjerrjen e lëngut përpara se të migrojë te trupi tjetër. Shqipëria shërben për të gjeneruar para, ndërsa Perëndimi shërben për t’i kthyer ato para në siguri, luks e cilësi jete. Ky “ekuilibër shfrytëzues” i mban institucionet mjaftueshëm të forta sa për të ruajtur rendin, në mënyrë që paraziti të ushqehet i qetë, por mjaftueshëm të dobëta sa për të mos penguar apo ndëshkuar abuzimet e tij.

Logjika e parazitit është, në thelb, një rikthim i rafinuar te banditi endacak. Ai nuk ka interes ta forcojë organizmin që e mban gjallë, por vetëm ta mbajë funksional aq sa të vazhdojë të ushqehet prej tij. Ndryshe nga modeli i “banditit të qëndrueshëm” ku sunduesi investon në rritjen e burimit për të përfituar më shumë në të ardhmen, paraziti operon me një horizont më të shkurtër dhe më oportunist, maksimizon nxjerrjen sot, pa u shqetësuar për qëndrueshmërinë nesër. Ai nuk investon në forcimin e “trupit” që e ushqen, por nxjerr maksimumin sot, ndërsa përgatit daljen nesër, duke transferuar kapitalin, familjen dhe sigurinë jashtë. Ai nuk ndërton institucione të forta, sepse ato kufizojnë abuzimin; nuk investon në zhvillim afatgjatë, sepse përfitimi i tij nuk është i lidhur me të ardhmen e vendit dhe në momentin që organizmi dobësohet tej mase, ai është gati të zhvendoset diku tjetër, duke lënë pas një trup të shteruar. Në këtë mënyrë, territori nuk shndërrohet në një burim që zhvillohet, por në një hapësirë që zhvatet dhe konsumohet gradualisht, derisa të mos ketë më çfarë të ofrojë.