**Mickoski paralajmëron ulje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve javën e ardhshme**
Kryeministri Hristian Mickoski deklaroi sot se javën e ardhshme pritet një ulje e ndjeshme e çmimeve të derivateve të naftës. Kjo vjen si rezultat i marrëveshjes së arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe rënies së çmimeve të naftës në bursat botërore.
Mickoski shpjegoi se vendimi aktual i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) për çmimet bazohet në lëvizjet e javës së kaluar. Ai theksoi se, duke marrë parasysh se situata e krizës nuk është më aktuale pas arritjes së marrëveshjes, pritet që këtë javë çmimet e naftës dizel të lëvizin në kuadër të gjysmë denari, ndërsa benzina mund të shënojë një rritje prej rreth një denari e gjysmë deri në dy denarë. Megjithatë, për javën e ardhshme, kryeministri premton një rënie të konsiderueshme.
“Çmimet e derivateve të naftës sot filluan të bien, por vendimi që duhet të marrë KRRE-ja ka të bëjë me javën e kaluar. Sipas llogaritjeve tona, meqenëse situata e krizës nuk ekziston më pas arritjes së marrëveshjes, pres që çmimet e naftës dizel të lëvizin këtu brenda gjysmë denari dhe të mbeten të njëjta, ndërsa për benzinën rreth një denarë e gjysmë deri në dy denarë rritje. Por, javën tjetër pres një rënie të konsiderueshme, sepse që nga sot çmimet në bursat e naftës dhe derivateve kanë rënë ndjeshëm. I ndoqa gjatë udhëtimit për në Manastir, ato po lëvizin diku rreth 82.83 dollarë për fuçi. Pra, javën tjetër pres një rënie më të madhe dhe më të konsiderueshme,” tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes ceremoniale të fabrikës “Brejnçajlld” në zonën industriale Zhabeni në Manastir.
Kryeministri shtoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë vendi me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon.
“Kjo ndihet posaçërisht këtu në Manastir. Ka pika karburanti ku qarkullimi është rritur me 50 për qind falë qytetarëve nga fqinji ynë jugor. Kështu, do të thosha, gjatë këtyre tre muajve kemi qëndruar mjaft dinjitozë. Në asnjë moment nuk lejuam ndonjë kufizim në pikat e karburantit, nuk kufizuam eksportin, përkundrazi, i hapëm dyert tona për qytetarët e vendeve fqinje që të furnizoheshin me derivate tek ne,” shtoi Mickoski.
Ai theksoi se janë siguruar sasi të mjaftueshme derivatesh dhe përsëriti se karburantet në vend ishin mesatarisht gjysmë euro më të lira për litër krahasuar me vendet fqinje.
Mickoski përfundoi duke theksuar se nëse kjo marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit është përfundimtare dhe i jep fund konfliktit disa-mujor, i cili shkaktoi krizën më të madhe energjetike të mileniumit të fundit, atëherë “mund të jemi mjaft të lumtur dhe të kënaqur nga mënyra se si u përballëm në këto kohëra jashtëzakonisht sfiduese.”
“Nuk u dëshpëruam, nuk thirrëm konferenca për shtyp, por punuam dhe ja, arritëm këtë objektiv,” tha kryeministri.
