Alavesi ka shkaktuar befasinë e madhe në La Liga, duke e mposhtur Real Madridin me rezultat 2-1 në “Santiago Bernabeu” dhe duke i dhënë fund serisë prej nëntë humbjesh radhazi në këtë stadium.

Real Madridi e nisi mirë takimin dhe krijoi disa raste shënimi, por ishte Alavesi që kaloi në epërsi në minutën e 22-të. Toni Martinez përfitoi nga një gabim i Dean Huijsenit dhe e dërgoi topin në rrjetë.

“Los Blancos” tentuan të riktheheshin në lojë, por rastet e Jude Bellinghamit dhe Kylian Mbappes nuk u konkretizuan.

Në pjesën e dytë, Alavesi e tronditi sërish skuadrën e Jose Mourinhos, duke shënuar golin e dytë përmes Angel Perezit, i cili pasoi një asistim të Mariano Diazit dhe mposhti Thibaut Courtois.

Mbappe e ngushtoi epërsinë në 2-1 tetë minuta më vonë, duke rikthyer shpresat e vendasve.

Real Madridi kërkoi me ngulm golin e barazimit, por portieri Antonio Sivera ishte vendimtar me disa pritje, ndërsa Carlos Espi goditi edhe shtyllën.

Në minutën e 86-të, Jude Bellingham u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim brenda zonës, pas rishikimit të rastit me VAR, duke e lënë Real Madridin me një lojtar më pak.

Alavesi e ruajti epërsinë deri në fund dhe siguroi një fitore historike në “Bernabeu”.

Kjo është humbja e parë e Real Madridit që nga mesi i shtatorit dhe një goditje e rëndë në garën për titullin e La Ligës, derisa kjo humbje e ndali serinë prej 10 fitoreve radhazi të Realit.

Reali tashmë mbetet tri pikë mbrapa Barcelonës në garën për titull, me skuadrën katalunase që e ka një ndeshje më pak./GazetaExpress/