Rrëfimi tronditës i të mbijetuarit të Reçakut pas arrestimit të pesë serbëve
Ramë Shabani, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Reçakut, ka ndarë rrëfimin e tij emocionues dhe tronditës pas arrestimit të pesë serbëve të dyshuar për kryerjen e këtij krimi. Me sytë e tij, Shabani dëshmoi tmerrin e asaj dite fatale.
“Baca Banush i ekzekutuar, Skënderi me plagë të rënda në kokë, Ajeti, ai i ri, Baca Rizah me dy djemtë, Baca Shyq me djemtë, Fatmiri me vëllezërit, Jashari me vëllezërit. Ishte thjesht tmerr,” ka rrëfyer Shabani, duke kujtuar viktimat.
Vetë Ramë Shabani arriti t’i mbijetonte mizorisë së masakrës së Reçakut. Përveç tmerrit që përjetoi, ai ndihmoi në varrosjen e mbi 30 viktimave të kësaj masakre. “Më 16 mbrëma i kemi mbledhur, i kemi sjellë në xhami. Na ndihmuan fshatrat Petrovë dhe Milloshevë. I kemi përgatitur për varrim, sepse ishin shumë. Më 17 pasdite erdhi Danica Markoviq me shoqëruesit e saj, dhe u zhvillua një përplasje këtu tri ditë për trupat e pajetë,” ka thënë Shabani.
Ai e ka mirëpritur lajmin për arrestimin e pesë serbëve të dyshuar, por shprehet i zhgënjyer nga vonesa e gjatë në hetimin e këtij krimi. “Shpresojmë të ketë sukses dhe të arrestohen edhe të tjerët. Hetimi i masakrës së Reçakut ishte shumë i lehtë për t’u zbuluar. Arrestoni komandantin e Policisë së Shtimes ose Ferizajt, dhe ai e di gjithë kush e ka kryer. Kjo çështje u hesht për 27 vjet. Kam mbetur vetëm unë dëshmitar i kësaj masakre të madhe,” theksoi Shabani.
Rrjedhimisht, ai shprehet i gatshëm të dëshmojë kundër tyre. “Unë jam i gatshëm të shkoj kudo që të duhet për këtë. E mbaj mend mirë çfarë rrahje kam pësuar, si më kanë rrahur, dhe sot jam gjallë, Zoti më ka lënë pikërisht për të dëshmuar për këtë,” u shpreh Shabani.
Megjithatë, Shabani thekson se koha e gjatë që ka kaluar nga lufta mund të jetë një problem. “Është problemi që tashmë 27 vjet nuk mund t’i njoh. Edhe të gjithë agresorët nga Shtimja ishin me maska. Sa herë hynin në fshat ishin me maska. Ky është problemi më i madh,” ka thënë Shabani.
Si përfundim, ai kërkon dënim maksimal për të arrestuarit. “Presim dënim shumë të mirë dhe të rëndë. Ende nuk po besoj. Më ka humbur besimi për 27 vjet. Nuk mund ta gjej më besimin,” përfundoi Shabani.
Ndaj pesë të dyshuarve, N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. “Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim që të fshihen dhe të shmangin përgjegjësinë penale,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si arsyetim për paraburgim është përmendur edhe rreziku për ndikim në prova dhe dëshmitarë.
