Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për një nënë dhe djalin e saj, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “shtytje në vrasje të rëndë”. Vendimi vjen pas një incidenti fatal në fshatin Kobaj, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Të pandehurit, Sh.O. (nëna) dhe djali i saj A.O., dyshohen se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë privuar nga jeta viktimën A.O. dhe kanë rrezikuar jetën e të lënduarit I.O., me nënën që dyshohet se ka qenë shtytësja e kësaj vepre.
Ngjarja tragjike dyshohet të ketë ndodhur më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit. Sipas dyshimeve të para, pas një konflikti të mëparshëm të lindur nga mosmarrëveshje, fillimisht verbal e më pas fizik, të pandehurit dyshohet se, duke përdorur mjete të mprehta (thika), kanë sulmuar viktimën A.O. dhe të lënduarin I.O. Si pasojë e goditjeve të marra me thikë në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa I.O. pësoi lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Gjykata vlerësoi se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se hetimet janë në fazën fillestare. Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Paraburgimi u caktua për shkak të rrezikut që të pandehurit mund të fshihen, të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë dhe prova, ose të përsërisin veprën penale, duke penguar kështu zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer – me këmbëngulje dhe vendosmëri, duke përdorur mjete të mprehta – gjykata vlerësoi se lënia në liri e të pandehurve paraqet një rrezik të lartë për përsëritjen e veprave penale të kësaj natyre. Vërtetimi i plotë i këtyre fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
