Policia vietnameze ka shpëtuar më shumë se 400 mace, të destinuara për tregtinë e mishit, dhe ka arrestuar nëntë persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Këtë e bënë të ditur sot organizatat për mbrojtjen e kafshëve.

Mbi 40 prej maceve të shpëtuara u kthyen te pronarët e tyre. Megjithatë, dhjetëra të tjera ngordhën për shkak të kushteve të këqija në të cilat mbaheshin, sipas agjencisë AP.

Hetimi filloi në qytetin Ho Chi Minh pas një sërë vjedhjesh kafshësh shtëpiake dhe çoi në zbulimin e këtij rrjeti kriminal. Sipas mediave lokale, policia gjeti 45 kafaze me rreth 400 mace të gjalla. Gjithashtu, u zbuluan katër kuti termoizoluese të mbushura me akull, që përmbanin rreth 80 mace të ngordhura, ndërsa në një vendndodhje tjetër u gjetën edhe 21 mace të gjalla.

Të arrestuarit pranuan se prej tre vitesh kapnin dhe grumbullonin mace në jug të Vietnamit, konkretisht në qytetet Ho Chi Minh, Tay Ninh dhe An Giang.

Në Vietnam, konsumi i mishit të qenve dhe maceve është i ligjshëm, por tregtarët janë të detyruar të posedojnë certifikata që dëshmojnë origjinën e kafshëve.