Sipas raportimeve, Julian Alvarezi mund të rikthehet në Premierligë, pasi Arsenali thuhet se ka arritur një marrëveshje të bujshme shkëmbimi për ta transferuar sulmuesin argjentinas.
Alvarezi, i cili kaloi dy sezone te Manchester City dhe fitoi dy tituj të Premierligës, ka shkëlqyer që prej transferimit rekord prej 81.8 milionë funtesh tek Atletico Madridi.
Ai ka shënuar 49 gola në 106 ndeshje për Atleticon, por raportohet se mund të largohet këtë verë, me disa klube të mëdha evropiane që po monitorojnë situatën e tij.
Kampionët e Evropës, Paris Saint-Germain, kanë shfaqur interes, ndërsa edhe Barcelona dhe Real Madridi janë në garë për nënshkrimin e tij.
Më herët u raportua se Alvarezi ishte “Galaktiku” misterioz i presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, por oferta rekord e klubit prej 129.4 milionë funtesh u refuzua nga rivalët e qytetit.
Kjo erdhi pasi Barcelona kishte paraqitur një ofertë të raportuar prej 86.3 milionë funtesh, duke kërkuar një pasues afatgjatë për Robert Lewandowski.
Megjithatë, raportimet e fundit pretendojnë se Arsenali është tani favorit për transferimin e Alvarez dhe madje ka bërë përparim të madh në negociata.
Në emisionin “El Chiringuito”, gazetari Jota Jordi deklaroi se drejtuesi i Atleticos, Gil Marin, i ka bërë të ditur presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, se Alvarezi nuk është në shitje.
Pavarësisht kësaj, Jordi pretendon se kalimi i Alvarezit tek Arsenali është “marrëveshje e kryer”.
Sipas tij, bëhet fjalë për një shkëmbim, ku Arsenali do të paguajë 50 milionë euro plus kartonin e Victor Gyokeresit.
Gyokeresi iu bashkua Arsenalit verën e kaluar për 55 milionë funte dhe, pas një fillimi jo të lehtë, përfundoi sezonin me 21 gola në 55 ndeshje në të gjitha garat, duke ndihmuar klubin londinez t’i japë fund pritjes 22-vjeçare për titullin e Premierligës.
Vlera e sulmuesit suedez është rritur ndjeshëm dhe marrëveshja totale për Alvarezin thuhet se do të arrinte rreth 130 milionë funte.
Megjithatë, Barcelona nuk duket se ka hequr dorë nga objektivi i saj kryesor.
Sipas gazetarit David Bernabeu në programin “La Posesion” të “SPORT”, klubi katalanas është gati të bëjë “një përpjekje të fundit të madhe” për Alvarezin pas përfundimit të Kupës së Botës.
Ai pretendon se nuk do të përfshihet asnjë lojtar në marrëveshje, por vetëm një pagesë fikse prej 135 milionë eurosh, e cila mund të arrijë deri në 150 milionë euro me bonuse të lidhura me performancën.
Alvarezi ka kontratë me Atletico Madridin deri në vitin 2030 dhe një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh.
Megjithatë, sipas “Bernabeu”, brenda drejtuesve të klubit ka persona që do të ishin të gatshëm të shqyrtonin një shitje nëse oferta afrohet me kërkesat e tyre.
Te Manchester City, Alvarezi rezultoi një transferim shumë i suksesshëm pas ardhjes nga River Plate për vetëm 14 milionë funte, por me kalimin e kohës e pati të vështirë të zinte vendin e titullarit përpara Erling Haalandit.
Aktualisht, ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara me Argjentinën për Kupën e Botës dhe u aktivizua si zëvendësues në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të turneut./GazetaExpress/
