Besnik Qaka rrëfen për dasmën “madhështore” të Dua Lipës

Këngëtari Besnik Qaka ka ndarë së fundmi përshtypjet e tij nga dasma e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, ku ai performoi.

I ftuar në emisionin “Kampionët e Botës” me moderatore Marina Vjollcën, Qaka u pyet në lidhje me përvojën e tij në ceremoninë e shumëpërfolur. Marina Vjollca, duke iu referuar performancës së Besnikut, vuri në dukje se “të gjithë artistët botërorë që ishin aty, kënduan dhe kërcyen me këngët shqiptare nga zëri yt i mrekullueshëm.” Ajo shtoi, “Si ishte ndjesia?”

Qaka u përgjigj me entuziazëm: “Ishte fantastike, u kënaqëm dhe e shijuam plotësisht. Një dasmë madhështore ku patëm mundësinë të performonim para shumë personaliteteve të njohura.”

Një tjetër artist i ftuar për të kënduar ishte Sinan Vllasaliu, por ai nuk mundi të merrte pjesë pasi pësoi një aksident me motor vetëm pak ditë para ceremonisë. Për pasojë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore dhe aktualisht po vijon procesin e rikuperimit.

Dua Lipa, artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, kurorëzoi lidhjen e saj me aktorin Callum Turner në Sicili të Italisë, në një festë madhështore që zgjati tre ditë.