Brazili i Ançelotit, sërish pa Nejmarin në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës 2026

Kombëtarja e Brazilit, e drejtuar nga Carlo Ancelotti, do të përballet me Haitin në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026, por sërish pa yllin e saj të sulmit, Nejmarin. Sulmuesi nuk është ende gati për të luajtur, pavarësisht se kohët e fundit u rikthye në stërvitje me skuadrën.

Nejmari mungoi edhe në barazimin 1-1 kundër Marokut, në ndeshjen hapëse të Botërorit. Ai pësoi një tjetër dëmtim pothuajse menjëherë pas grumbullimit me kombëtaren, duke e lënë jashtë fushës.

Megjithëse ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së u rikthye në stërvitje me ekipin, kjo nuk ishte e mjaftueshme që ai të përfshihej në listën e lojtarëve për ndeshjen e ardhshme kundër Haitit, që do të zhvillohet të shtunën në mëngjes.

Sipas gazetarit Gianluca Di Marzio të “Sky Sport Italia”, Nejmari ka qëndruar në bazën stërvitore të Brazilit në New Jersey për të vazhduar procesin e rikuperimit. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës është nisur drejt Filadelfias për ndeshjen kundër Haitit.

Megjithatë, ekziston optimizëm se Nejmari mund të jetë gati për ndeshjen kundër Skocisë, e planifikuar për më 24 qershor.