Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Turqi. Ai theksoi se bisedimet në nivel liderësh janë thelbësore për t’i dhënë fund luftës.

Në një intervistë për CNN Türk, cituar nga agjencia Ukrinform, Zelensky deklaroi se Ukraina mbështet Turqinë si vendin ideal për zhvillimin e këtij takimi, duke vlerësuar lart rolin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Duke konfirmuar gatishmërinë, ai tha: “Po, ne jemi gati. Jemi gati për këtë takim në Turqi.” Zelensky nënvizoi se, pavarësisht përpjekjeve të delegacioneve dhe ekipeve teknike, lufta nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, ai beson se çështjet thelbësore duhet të diskutohen drejtpërdrejt nga udhëheqësit e dy shteteve.

Në këtë takim, sipas Zelenskyt, duhet të trajtohen garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimi i vendit dhe çështja e integritetit territorial. Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi edhe një herë se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe nuk do të njohë Krimenë apo pjesë të tjera të aneksuara si territor rus.