Dasina Gjegji, ish-konkurrentja e emisionit “Për’puthen”, ka ndarë detaje tronditëse rreth një periudhe të vështirë shëndetësore që kaloi së fundmi. E ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Niko Komanin, ajo foli hapur për eksperiencën e saj në spital, duke prekur edhe temën e programit të dashurisë dhe marrëdhënien me Krisin.

Gjatë intervistës, Dasina theksoi se aktualisht ndihet shumë mirë. “Falë Zotit jam shumë mirë,” u shpreh ajo. “Po e marr veten plotësisht, po rikuperohem, kam kaluar çdo frikë e traumë dhe jam në rregull, përveç shenjës që kam në bark.”

Ajo shpjegoi se situata shëndetësore ndodhi papritur. “As vetë nuk e dija se gjendja do të ishte kaq e rëndë,” tha Dasina. Fillimisht, si shumë njerëz që anashkalojnë shenjat, Dasina mendoi se bëhej fjalë për probleme të lidhura me ciklin ose diçka tjetër, por situata rezultoi krejt ndryshe.

Momenti kritik erdhi kur, gjatë një regjistrimi ose darke, ajo nisi të ndjehej keq dhe papritur nuk mund të lëvizte më këmbët. Kjo e bëri të kuptonte seriozitetin e gjendjes dhe menjëherë pas mbërritjes në spital, u fut në sallë operacioni.