Brukseli shpreh keqardhje për anulimin e Samitit Brdo-Brioni
**Bruksel, BE** – Bashkimi Evropian (BE) shprehu të martën keqardhje për anulimin e takimit të Brdo-Brionit, i cili ishte planifikuar të mbahej në maj.
Komisioni Evropian theksoi se “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë thelbësore për procesin e integrimit evropian dhe përbëjnë një pjesë themelore të rrugës së Serbisë drejt BE-së.” Sipas tyre, këto marrëdhënie “kontribuojnë në stabilitet, pajtim dhe në krijimin e një klime që favorizon zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe, si dhe tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës.”
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, anuloi takimin e planifikuar për në maj, duke theksuar se aktualisht nuk ka kushte për ardhjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kroaci.
“Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Serbisë, që janë shfaqur ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Brdo-Brionit, dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe rrezikojnë paqen e stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore,” deklaroi Millanoviq të hënën.
Pas zgjedhjeve lokale në Serbi më 29 mars, Vuçiq deklaroi se do t’i “verifikojë raportet e agjencive të sigurisë për ndikimin e mundshëm të vendeve të huaja në procesin zgjedhor,” duke përmendur “mbështetje logjistike nga një shtet fqinj.”
“Na kanë goditur nga rajoni edhe sot. Mund të shihnit çfarë kanë bërë nga Zagrebi dhe sa të mëdha kanë qenë përpjekjet e tyre. Në Kula (komunë në veri të Serbisë) kishte më shumë targa nga Zagrebi sesa nga komunat përreth. Dhe nuk po flas vetëm për logjistikën e transportit, por sidomos për atë mediatike,” tha Vuçiq.
Pas shpërthimit të protestave kundër Qeverisë për shkak të vdekjeve tragjike të 16 personave në Novi Sad në fund të vitit të kaluar, autoritetet në Serbi kanë akuzuar në disa raste shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, gjë që zyrtarët në Zagreb e kanë mohuar kategorikisht.
Procesi i Brdo-Brionit është një iniciativë politike rajonale, e cila mbledh liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillohet që nga viti 2013, me synimin për të nxitur bashkëpunimin dhe përshpejtuar integrimin e rajonit në BE.
Kabineti i Millanoviqit njoftoi se Kroacia dhe Sllovenia, si vende anëtare të BE-së, e kanë iniciuar procesin Brdo-Brioni me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore.
Si bashkëkryesues i procesit, Millanoviq u komunikoi krerëve të shteteve pjesëmarrëse vendimin për anulimin e takimit të planifikuar në Kroaci.
Përveç presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në procesin e Brdo-Brionit marrin pjesë edhe liderët e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. (REL)
