Raporti i UEFA-s: Mbështetja për Kombëtaren Shqiptare në Nivele Rekord

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur nivele mbështetjeje rekord nga tifozët kuqezi, duke u shndërruar në një simbol kyç të identifikimit sportiv për shqiptarët. Këtë e konfirmon raporti i fundit “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen.

Sipas këtij studimi, mbështetja për Kombëtaren shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit. Nëse në vitin 2016 kjo shifër ishte 61%, ajo aktualisht ka arritur në 91%, duke e pozicionuar Shqipërinë ndjeshëm mbi mesataren europiane prej 70%.

Raporti thekson se Kombëtarja është bërë prioriteti kryesor për tifozët shqiptarë. Për shembull, mes atyre që ndjekin njëkohësisht futbollin e klubeve dhe ekipet kombëtare, 70% e konsiderojnë Kombëtaren si më të rëndësishmen, ndërsa vetëm 15% i japin përparësi futbollit të klubeve.

Këto të dhëna dëshmojnë forcimin e lidhjes së tifozëve me fanellën kuqezi dhe rritjen e identifikimit me ekipet kombëtare shqiptare, të cilat në vitet e fundit kanë ofruar emocione të shumta dhe rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Përtej pasionit për Kombëtaren, studimi tregon gjithashtu se tifozët shqiptarë vijojnë të ndjekin gjerësisht futbollin ndërkombëtar të klubeve. Rreth 35% mbështesin një klub jashtë Shqipërisë, ndërsa 28% deklarojnë se mbështesin një klub vendas. Këto të dhëna pasqyrojnë interesin e lartë të publikut shqiptar për futbollin europian, krahas lidhjes së fortë me ekipet kombëtare.

Gjithashtu, studimi evidenton se tifozët shqiptarë vazhdojnë të ndjekin edhe kombëtare të tjera europiane. Italia mbetet skuadra e huaj më e ndjekur me 29%, e ndjekur nga Gjermania me 26%.

Megjithatë, pavarësisht këtyre preferencave, mbështetja për Kombëtaren shqiptare mbetet dominuese dhe në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Gjetjet e raportit konfirmojnë se Kombëtarja shqiptare vazhdon të jetë pika më e fortë e bashkimit të tifozëve dhe një nga faktorët kryesorë që nxit interesin dhe pasionin për futbollin në vend.