Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka bërë thirrje për një protestë demokratike në mbrojtje të projektit amerikan të gazit natyror, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Qeverinë Kurti për një qasje anti-amerikane që, sipas tij, po rrezikon aleancën me SHBA-në dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nëpërmjet një postimi, Hoti ftoi odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në këtë protestë, me qëllim mbështetjen e projektit dhe ruajtjen e aleancës së pacenueshme të Kosovës me popullin amerikan.

Hoti thekson se refuzimi i këtij projekti e lë Kosovën në rrezik të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa akses në gazin natyror të lëngshëm (LNG) me origjinë amerikane. Sipas tij, ky refuzim sjell pasoja të rënda ekonomike, duke përmendur shpenzimet e larta për importin e energjisë, të cilat në katër vitet e fundit kanë arritur në 735 milionë euro, prej të cilave 142 milionë euro në vitin 2024 dhe 259 milionë euro në 2025. Ai paralajmëron gjithashtu për tarifat e ardhshme të emetimit të karbonit, të cilat do t’u bien barrë qytetarëve dhe bizneseve, duke i shtrenjtuar faturat e energjisë.

Qeveria Kurti dhe LVV kanë argumentuar refuzimin me arsyetime ekonomike, duke përmendur rreziqe dhe nevojën për më shumë informacione, si dhe duke theksuar fokusin te ripërtëritja e kapaciteteve ekzistuese me qymyr, krijimi i kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme dhe ideja e shndërrimit të qymyrit në gaz sintetik. Megjithatë, Hoti pretendon se këto arsyetime janë të pabaza dhe se pala amerikane ka sqaruar se projekti është plotësisht plotësues me strategjinë energjetike të Kosovës, duke ofruar diversifikim dhe siguri furnizimi pa u ndikuar nga importi.

Më tej, ish-kryeministri shton se projekti ka rëndësi të thellë gjeopolitike, me qëllim largimin e ndikimit rus në rajon, dhe refuzimi i tij mund të motivohet vetëm nga një orientim anti-amerikan i LVV-së. Ai thekson se kjo qasje nuk është e re, duke kujtuar kundërshtimet e LVV-së ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, negociatave të Vjenës që sollën pavarësinë, si dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.