**Paralajmërimet e Agon Maliqit: Pasojat diplomatike dhe ushtarake për Kosovën në rast refuzimi të gazit amerikan**
Analisti politik Agon Maliqi ka ngritur një paralajmërim të fortë lidhur me pasojat e rënda diplomatike dhe ushtarake që Kosova mund të përballet nëse refuzon projektin strategjik për gazin amerikan.
Sipas Maliqit, një refuzim i tillë rrezikon ta lërë Kosovën pas trendeve ekonomike dhe politike rajonale, duke humbur mbështetjen thelbësore të Uashingtonit në një periudhë kritike për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se marrëdhënia me SHBA-në nuk duhet banalizuar me idenë se “nuk ka ndodhur asgjë” nga refuzimet e mëparshme.
Maliqi shpjegoi se Kosova rrezikon të mbetet prapa trendeve ekonomike dhe politike, duke humbur mbështetjen e nevojshme politike dhe diplomatike të SHBA-së për konsolidimin e shtetësisë së saj. Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e humbjes së mbështetjes për FSK-në, duke theksuar se “kur nuk je partner strategjik në fusha që janë strategjike për SHBA-të, nuk mund të presim që SHBA-të të jenë mbështetës i atyre pikave që janë strategjike për Kosovën.” Për Maliqin, çështja nuk mund të banalizohet me argumentin se refuzimet e mëparshme nuk kanë sjellë pasoja të prekshme. Këto komente ai i bëri për “Betimi për Drejtësi”.
Maliqi shpjegoi se ndonëse SHBA-ja nuk do ta çnjohë Kosovën, vendi rrezikon të shndërrohet në një “shtet të cunguar”, pa kapacitete të mjaftueshme energjetike dhe pa mbështetjen e nevojshme ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai vuri në dukje se i gjithë rajoni, përfshirë edhe Serbinë me projekte të reja me gjigantin amerikan “Bechtel”, po integrohet në arkitekturën e re energjetike të SHBA-së, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet e izoluar.
Ai theksoi se ky izolim do të ndikonte negativisht jo vetëm në mundësitë për zhvillim ekonomik, pasi energjia është thelbësore, por edhe do të dobësonte cilësinë e marrëdhënies me SHBA-në në çështjet e sigurisë dhe diplomacisë. Për të ilustruar këtë pikë, Maliqi përmendi një projekt të fundit të SHBA-së me “Bechtel” për ndërtimin e një hidrocentrali në Serbi, duke treguar se “i gjithë rajoni po bëhet pjesë e kësaj arkitekture të energjisë, vetëm ne po mbetemi jashtë.”
Diskutimi i plotë i Maliqit është transmetuar në emisionin “Refuzimi i gazit amerikan a cenon sigurinë kombëtare dhe raportet strategjike me ShBA-në?”, në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.
