Komandanti i FSK-së Jashari dekoron gjeneralmajorin amerikan Osborn
**Prishtinë** – Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me nderime të larta ushtarake gjeneralmajorin Osborn, Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës. Takimi u zhvillua në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, gjatë vizitës zyrtare të gjeneralmajorit amerikan në Kosovë.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Jashari i ndau gjeneralmajorit Osborn “Medaljen për shërbim vetëmohues”. Kjo dekoratë iu dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në një njoftim të lëshuar pas takimit, u theksua se partneriteti ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, mbetet një dëshmi e fuqishme e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosova dhe SHBA – partneritet i përhershëm!” theksohej më tej në njoftim.
