Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka dënuar “dëshpërimin” e Shteteve të Bashkuara pas kërcënimit të presidentit Donald Trump ndaj delegacionit iranian që po negocion sot në Zvicër, dhe deklaratës se SHBA-ja mund ta “marrë nën kontroll” Ngushticën e Hormuzit nëse nuk arrin një marrëveshje me Iranin, shkruan CNN.
“A nuk e pyesin kurrë veten se, nëse kërcënimet e tyre do të kishin funksionuar realisht, nuk do të kishin arritur në këtë nivel dëshpërimi sot?” tha Ghalibaf të dielën në mbrëmje në një postim në X.
Ghalibaf gjithashtu paralajmëroi se ushtria e Iranit është e gatshme të reagojë nëse është e nevojshme.
“Ne nuk i marrim fare seriozisht kërcënimet e amerikanëve”, vazhdoi ai. “Ata do të bënin mirë t’i zgjedhin me kujdes fjalët e tyre. Forcat tona të armatosura janë të gatshme t’u japin një përgjigje në një mënyrë tjetër. Pavarësisht sa flasin, jemi ne ata që veprojmë”.
