Kosova ka kërkuar qasje në arkivat e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Serbe dhe rifillimin e gërmimeve në Batajnicë, duke i konsideruar këto kërkesa si një test për përmbushjen e zotimeve të Serbisë sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ndërkohë, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur, Serbia ka kërkuar më shumë informata dhe hetime, veçanërisht për personat e zhdukur pas përfundimit zyrtar të luftës.
Pala kosovare pret qasje në dosjet sekrete të Brigadës 37-të Motorizuar të kohës së luftës, si dhe kthimin për gërmime në Batajnicë. Këto janë ndër kërkesat kryesore të paraqitura në Komisionin e Përbashkët për Persona të Zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky Komision pritet të mblidhet sërish këtë muaj, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në takimin e tretë radhazi që nga themelimi i tij. Pala kosovare thekson se këto dy kërkesa do të shërbejnë si provë nëse Serbia do të nisë të zbatojë deklaratën e nënshkruar tre vite më parë, e cila përfshin qasjen në arkiva.
Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, Kushtrim Gara, ka deklaruar se qasja në arkivat e klasifikuara do të ndihmojë në kërkimet për të zhdukurit nga masakrat e kryera nga kjo brigadë në zonën e Drenicës, e cila në atë kohë komandohej nga gjenerali Lubisha Dikoviq.
“Shumë nga viktimat e masakrave në Rezallë, Çikatovë të Vjetër dhe Zabel të Ulët, të kryera nga kjo brigadë, janë gjetur në Rashkë”, tha Gara për Radio Kosovën. “Arkivat e plota të kësaj brigade ishin riklasifikuar në vitin 2014, pikërisht kur ne po gërmonim në Rashkë, ku brigada kishte bazën e saj”, shtoi ai.
Gara shpjegoi se pala kosovare kërkon rikthimin e gërmimeve në Batajnicë, pasi janë siguruar të dhëna të reja që dyshohet se tregojnë një vend varrimi me një numër viktimash të zhdukura të luftës. “Në bazë të të dhënave të reja që kemi siguruar dhe analizës së informacionit, kemi konkluduar se në Batajnicë, afër poligonit të stërvitjes ushtarake, mund të ndodhet një vend varrimi me 58 trupa të personave të zhdukur”, tha ai.
Ndërmjet viteve 2001 dhe 2002, mbetjet mortore të 744 viktimave u gjetën të varrosura në nëntë gropa, ngjitur me poligonin e stërvitjes ushtarake në Batajnicë, afër Beogradit, qindra kilometra larg vendeve ku ishin vrarë.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i ka thënë Radios Kosova se BE-ja “i kërkon me ngulm palëve bashkëpunim dhe angazhim” në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023. Aty u theksua gjithashtu se Komisioni i Përbashkët “ofron një kornizë për të mbështetur këtë proces dhe për të adresuar çështjet praktike që lidhen me zbatimin”.
Sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, detyrimet e Kosovës përfshijnë hetimin e rasteve të personave të zhdukur, sidomos atyre pas përfundimit zyrtar të luftës.
