Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin mëngjesin e së hënës, ku një i ri 26-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një objekt ndërtimi.
Sipas informacioneve të para, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar njoftimin se në ambulancën e lagjes Arbana ishte dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e rastit.
“Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimine policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës.
“Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
