**Apel | Avokati i Endrit Nikës akuzon pronarin e objektit: Nuk ishte i regjistruar si hotel**

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë po mbahet seanca lidhur me rastin penal të Endrit Nikës, i dënuar në shkurt të këtij viti me 18 vjet burgim. Nika u shpall fajtor për vrasjen e të dashurës së tij, shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, ngjarje e ndodhur në një objekt në Fushë Kosovë, i cilësuar si hotel.

Avokati mbrojtës i Nikës, Tomë Gashi, deklaroi se mbrojtja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj pronarit të objektit dhe djalit të tij, në lidhje me ngjarjen. Gashi theksoi se përgjegjësia për rastin nuk i takon klientit të tij.

Sipas Gashit, objekti ku ndodhi ngjarja ka funksionuar pa leje si hotel, ndërkohë që fillimisht ishte i regjistruar si objekt banesor. Ai pohoi në Gjykatë se legalizimi i tij si objekt banesor është kryer rreth një vit e gjysmë pas ngjarjes tragjike.

Avokati propozoi lirimin e Nikës nga akuza dhe shpalljen e tij të pafajshëm. Gashi theksoi gjithashtu se rasti nuk duhet trajtuar si vrasje apo vetëvrasje, por si aksident i shkaktuar nga mungesa e kushteve të sigurisë në objekt.

Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi funksionimin dhe legalizimin e ndërtesës, si dhe mbi mungesën e disa incizimeve të kamerave të sigurisë.