Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar parregullsi në zbatimin e një kontrate të Komunës së Fushë Kosovës, ku stafi i angazhuar gjatë realizimit të kontratës nuk përputhej me stafin e deklaruar në ofertën fituese, raporton Kujdestari.info.

Sipas Raportit të Auditimit për vitin 2025, bëhet fjalë për tenderin për “Ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sociale, arsimore, ambientale dhe administrative të përgjithshme”, kontratë e fituar nga Caritas.

Auditori konstaton se në dokumentet e tenderit ishte përcaktuar që operatori ekonomik fitues, para nënshkrimit të kontratës, duhej të dorëzonte listën e stafit të planifikuar për angazhim dhe se autoriteti kontraktues kishte të drejtë të verifikonte vazhdimisht angazhimin e tyre.

Sipas raportit, lista e dorëzuar nga operatori ekonomik përmbante 136 persona me profile të ndryshme profesionale.

Megjithatë, gjatë auditimit është konstatuar se gjatë zbatimit të kontratës nuk ishte përdorur kjo listë. Në vend të saj ishte përdorur një listë tjetër operative, e hartuar dhe e ndryshuar gjatë realizimit të kontratës, e cila përmbante 148 punëtorë.

“Stafi i angazhuar nuk përputhej me stafin e deklaruar. Struktura dhe numri i stafit të angazhuar gjatë ekzekutimit të kontratës nuk reflektonte në mënyrë të plotë stafin e deklaruar dhe të vlerësuar gjatë procesit të tenderimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas auditorit, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së kontrolleve dhe verifikimeve të mjaftueshme nga menaxheri i kontratës lidhur me përputhshmërinë e stafit të angazhuar me listën e stafit të deklaruar në ofertë dhe kontratë.

ZKA vlerëson se mospërputhja ndërmjet stafit të deklaruar në ofertë dhe stafit të përdorur gjatë realizimit të kontratës e dobëson kontrollin mbi zbatimin e saj dhe rrit rrezikun që kontrata të mos zbatohet sipas kushteve dhe kritereve mbi të cilat është bërë vlerësimi dhe dhënia e saj.

Për këtë arsye, auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës që të sigurojë verifikime të rregullta dhe të dokumentuara për përputhshmërinë e stafit të angazhuar me stafin e deklaruar në ofertë dhe kontratë, me qëllim garantimin e zbatimit të kontratave sipas kushteve të përcaktuara.

Vlen të theksohet se gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025, deri në tetor, Komuna e Fushë Kosovës është udhëhequr nga Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës.