Gruaja e plagosur rëndë me thikë në Pogradec, transportohet me helikopter drejt Tiranës: Gjendja e stabilizuar

Një 28-vjeçare, Bleona Xhaja, e plagosur rëndë me thikë nga bashkëshorti i saj në Pogradec, është transportuar me helikopter drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Ajo ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Viktima mori ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, por për shkak të rëndësisë së plagëve dhe gjendjes së saj kritike, u vendos transferimi urgjent në kryeqytet.

Sipas burimeve mjekësore të A2Cnn, 28-vjeçarja ka pësuar plagë të shumta në kraharor dhe në bark. Aktualisht, gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar dhe ajo është nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipi mjekësor.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 30-vjeçari Fatmir Xhaja, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec.

Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se e ka plagosur me një mjet prerës (thikë) gjatë një konflikti familjar brenda banesës së tyre.