Ka nisur Edicioni i 8-të i Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, një ngjarje që synon promovimin e identitetit, trashëgimisë kulturore dhe përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të festivalit është hapur edhe Ekspozita Mobile “KRAH”, e cila prezantohet në formën e një muzeu lëvizës në sheshin “Adem Jashari’, në Prishtinë dhe shpërfaq identitetin, kujtesën kolektive dhe trashëgiminë kulturore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se festivali është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të pjesëmarrjes shoqërore, fuqizimit ekonomik dhe promovimit të talenteve.

“Rrugëtimi i këtij festivali është dëshmi se idetë e mira, kur ndërtohen mbi përkushtim, bashkëpunim dhe besim në vlerat e përbashkëta, mund të marrin një jetë të gjatë dhe ndikim të gjerë shoqëror. Nga një aktivitet njëditor, festivali sot është bërë një hapësirë ku takohen kultura, komunitete, breza, profesione dhe forma të ndryshme të krijimtarisë. Ai na ka krijuar vend për artizanët, për bizneset lokale, për gratë ndërmarrëse, për poetët, për artistët e rinj dhe për përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve. Kjo e bën festivalin jo vetëm një ngjarje kulturore, por edhe një hapësirë të rëndësishme të pjesëmarrjes shoqërore, të fuqizimit ekonomik dhe të promovimit të talenteve tona”, tha Kurti.

Ai tha se festivali pasqyron mënyrën se si Kosova e ndërton identitetin e saj si shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës.

“Festivali nuk është vetëm festë, është pasqyrë e mënyrës se si Republika e Kosovës e kupton dhe ndërton vetveten si shtet demokratik, i hapur dhe gjithëpërfshirës. Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë dhe një nga pasuritë e mëdha të Kosovës. Është pasuri që duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta përcjellim te brezat e rinj.

Republika jonë është ndërtuar mbi parimin se të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, gjuhe, kulture, feje apo prejardhjeje, kanë vend të barabartë në jetën publike, shoqërore dhe institucionale. Prandaj avancimi i barazisë dhe i përfshirjes së të gjitha komuniteteve mbetet pjesë e pandashme e angazhimit tonë institucional”, tha Kurti.

Drejtori Ekzekutiv i Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE), Isak Skenderi, tha se organizata shënon këtë vit 15-vjetorin e themelimit, duke vlerësuar progresin e arritur në përfshirjen e komuniteteve.

“Ky vit ka një domethënie të veçantë për organizatën tonë gjithashtu. Në vitin 2026, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve shënon 15-vjetorin e themelimit. Pesëmbëdhjetë vjet punë, përkushtim, partneritetesh dhe besimi se ndryshimi është i mundur. Kur e nisëm këtë rrugëtim, sfidat me të cilat përballeshin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishin shumë, ndër më të mëdhatë. Pabarazitë në arsim ishin të theksuara. Mundësitë për punësim ishin të kufizuara. Kushtet e jetesës shpeshherë të papranueshme, ndërsa diskriminimi vazhdonte të ndikonte në jetën e përditshme të shumë familjeve. Sot, pas 15 vitesh, mund të themi me bindje se progresi është i mundur dhe se investimi në përfshirje jep rezultate konkrete”, tha Skenderi.

Festivali Multikulturor është një ngjarje tradicionale vjetore që organizohet në Prishtinë nga organizata joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” (VoRAE). Qëllimi i tij është promovimi i identitetit, traditave, gjuhës dhe pasurisë kulturore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, si dhe nxitja e bashkëjetesës, dialogut dhe përfshirjes sociale ndërmjet komuniteteve.