Katie Price shkëlqen në premierën e dokumentarit të saj të ri pas ndërhyrjes estetike

Katie Price shkëlqeu me elegancë dhe pamje të kuruar teksa parakaloi në tapetin e kuq, me rastin e prezantimit zyrtar të dokumentarit të saj origjinal për Sky, “Katie Price: Nothing to Hide”, mbrëmjen e së hënës në Londër.

Ish-modelja e njohur, 48 vjeçe, e cila premton të zbulojë detaje të papara në këtë serial dokumentar me katër pjesë, tregoi rezultatet e ndërhyrjes korrigjuese në buzë, operacion të cilit iu nënshtrua vetëm javën e kaluar.

Ylli udhëtoi drejt Brukselit për procedurën, e cila kishte për qëllim heqjen e indit mbresor në buzët e saj, të krijuar si pasojë e zhvendosjes së mbushësit estetik, shkruan “Daily Mail”.

Edhe pse më herët gjatë javës kishte publikuar fotografi ku buzët e saj shfaqeshin të mavijosura dhe të enjtura, ekipi i saj i grimit duket se kishte bërë një punë të shkëlqyer për mbrëmjen, pasi vetëm disa shenja minimale mund të dalloheshin poshtë hundës së saj.

Për këtë ngjarje, Katie kishte zgjedhur një fustan të zi të ngushtë pas trupit, me të cilin tërhoqi vëmendjen duke ekspozuar koleksionin e tatuazheve në shpinë. Pamjen e saj e kompletoi me një palë taka të zeza me platformë.