**Aksident tragjik: Dy motra nga Kosova humbin jetën në Gjermani, do të varrosen në vendlindje**

Dy motra nga Kosova, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe), kanë humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në Gjermani. Familja ka njoftuar se varrimi i tyre do të bëhet në Kosovë.

Mediat zvicerane dhe gjermane kanë raportuar për ngjarjen e rëndë, ku dy motra të reja, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe), të cilat jetonin në Olten të Zvicrës dhe kishin prejardhje nga Kosova, gjetën vdekjen në autostradën gjermane A5.

Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën e kaluar, ndërsa dy motrat po udhëtonin drejt Gjermanisë për të vizituar të afërmit e tyre. Sipas raportimeve të policisë gjermane dhe mediave zvicerane, në aksidentin zinxhiror u përfshinë pesë automjete.

Babai i vajzave ka dëshmuar, mes lotësh, se vajzat u detyruan të frenonin në autostradë për shkak të një aksidenti të mëparshëm. Megjithatë, një makinë që vinte pas nuk arriti të ndalonte në kohë dhe u përplas fuqishëm me automjetin e motrave. Përplasja rezultoi fatale, duke bërë që të rejat të ndërronin jetë në vendngjarje.

Familja dhe i gjithë komuniteti i tyre në Olten janë thellësisht të tronditur nga kjo tragjedi. I ati i tyre theksoi se vajzat ishin në kulmin e rinisë dhe e gëzonin shumë jetën. Erza, 23 vjeçe, sapo kishte përfunduar studimet e larta profesionale dhe punonte në Olten, ndërsa motra e saj më e vogël, Aulona, ishte në vitin e dytë të shkollës profesionale. Familja e pikëlluar ka njoftuar se tashmë kanë nisur përgatitjet për riatdhesimin e trupave të dy motrave në Kosovë, ku edhe do të varrosen.