Kreu i Degës së  LDK në Ferizaj, Visar Azemi, ka reaguar pas kërkesave që janë bërë nga disa prej Degëve për dorëheqje të Lumir Abdixhikut. 

Sipas tij, rezultatet e dobëta nuk mund të maskohen me kërkesa publike për dorëheqje të kryetarit. 

Azemi ka thënë se i jep përkrahje Abdixhikut në projektin e “bashkimit”   

Postimi i plotë: 

Nuk është as koha e as mënyra që mungesa e përgjegjësisë për rezultatet e dobëta nëpër degë të maskohet me kërkesa publike për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë. Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit.

Në këto zgjedhje, shumë njerëz punuan me mish e me shpirt për rritjen e LDK-së. Prandaj është zhgënjyese kur, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes ndaj këtij angazhimi, dikush zgjedh ta dëmtojë LDK-në nga brenda.

Unë i jap mbështetje të plotë Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe procesit të bashkimit të madh të LDK-së. Jo sepse nuk duhet të ketë mendime ndryshe, por sepse vendimet e mëdha janë marrë, proceset demokratike janë kry dhe tani kemi detyrimin të ecim përpara.

Si Kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj, besoj se nuk kemi të drejtë ti humbim energjitë tona në beteja të brendshme e në agjenda personale. Republika pret shumë më tepër prej nesh. Qytetarët presin alternativë serioze dhe një LDK të bashkuar.

Ata që me të vërtetë e duan LDK-në, sot kanë një detyrë ta forcojnë atë, jo ta lodhin me konflikte të pafundme.

Visari