Dita e Babait rikthen vëmendjen te kriza në familjen Beckham

Dita e Babait u shërbeu shumë personaliteteve publike si një rast për të ndarë çaste familjare në rrjetet sociale. Mes tyre ishin edhe David dhe Victoria Beckham, të cilët duket se i dërguan një mesazh indirekt djalit të tyre të madh, Brooklyn Beckham, në mes të thashethemeve për tensione në marrëdhëniet familjare.

Më 21 qershor, Victoria Beckham publikoi një fotografi familjare të vjetër ku ajo shfaqej së bashku me bashkëshortin e saj dhe katër fëmijët e tyre: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper.

“David, ti je vërtet babai më i mirë. Arritja jote më e madhe janë gjithmonë fëmijët tanë të mrekullueshëm dhe ne të duam shumë. Gëzuar Ditën e Babait”, shkroi ajo në përshkrimin e postimit.

Nga ana e tij, David Beckham publikoi një seri fotografish në Instagram, duke e nisur me një imazh bardhezi nga fëmijëria e fëmijëve të tij, ku Brooklyn mban në krahë motrën e vogël, Harper. Në postim përfshiheshin gjithashtu fotografi të veçanta me secilin prej fëmijëve.

“Të qenit baba është puna më e rëndësishme e jetës sime. Ju dua të gjithëve dhe falënderoj Victorian që na dhuroi këtë familje të mrekullueshme. Gëzuar Ditën e Babait për të gjithë baballarët në botë”, shkroi ish-futbollisti.

Këto postime tërhoqën një vëmendje të konsiderueshme, pasi vijnë në një kohë kur vazhdojnë spekulimet për marrëdhënie të ftohta mes Brooklyn Beckham dhe familjes së tij.

Në janar, Brooklyn reagoi publikisht ndaj këtyre zërave, duke mohuar gjithashtu pretendimet se ndikohet nga bashkëshortja e tij, Nicola Peltz Beckham.

“Nuk më kontrollon askush. Për herë të parë në jetën time po mbroj veten”, u shpreh ai.

Ndërkohë, sipas mediave britanike, një reklamë e kohëve të fundit e Brooklyn Beckham u interpretua nga shumëkush si një mesazh ndaj prindërve të tij dhe si një referencë ironike ndaj përçarjes së përfolur brenda familjes. Ekspertë të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun kanë theksuar se kjo situatë mund të ndikojë jo vetëm imazhin e tij publik, por edhe markën e njohur familjare Beckham.

Mungesa e reagimit nga Brooklyn ndaj postimeve të prindërve u pa nga shumëkush si domethënëse. Ndryshe nga vëllai i tij Cruz, i cili komentoi në postimet e David dhe Victoria, Brooklyn nuk dha asnjë reagim.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, publikoi një dedikim të ndjerë për babanë e saj në Ditën e Babait.

“Jam shumë me fat që jam vajza jote. Ti je babai më i mirë në botë. Faleminderit që je gjithmonë mbështetës dhe që më ke mësuar të jem e fortë dhe të mos dorëzohem kurrë. Të dua pafund”, shkroi ajo bashkë me një seri fotografish familjare.