**Peja: Policia arreston 38 persona të kërkuar nga gjykatat brenda 22 ditësh**

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar arrestimin e 38 personave të kërkuar nga drejtësia, në bazë të urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykatat. Këto arrestime janë kryer gjatë periudhës nga 1 deri më 22 qershor.

Në një komunikatë për media, Policia theksoi se të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Arrestimet u bënë në zbatim të plotë të urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykatat kompetente.

Prej numrit total të të arrestuarve, 13 persona janë dërguar për të vuajtur dënimin në qendrat përkatëse të paraburgimit. Ndërsa, 25 të tjerë janë paraqitur në seanca gjyqësore dhe janë liruar pas pagesës së dënimit me gjobë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë deklaroi se do të vazhdojë me zbatimin e pa kompromis të urdhër-arresteve të gjykatave dhe arrestimin e të gjithë personave që kërkohen nga organet e drejtësisë.