**Pse hamë kur jemi nën stres?**
Truri i njeriut, për të kryer të gjitha proceset e tij, ka nevojë për shumë energji, gjë që shpesh e vë atë në kundërshtim me nevojat e pjesës tjetër të organizmit. Në situata stresuese, megjithëse truri zë vetëm dy për qind të masës trupore, ai tërheq rreth 90 për qind të glukozës ditore. Ai, në fakt, na shtyn të konsumojmë më shumë sheqer dhe karbohidrate.
Që organizmi të përballet më mirë me stresin, niveli i sheqerit në gjak rritet, gjë që realizohet duke ndërprerë prodhimin e insulinës. Detyra kryesore e insulinës është të ulë nivelin e glukozës në gjak dhe ta transportojë atë në inde. Muskujt dhe indet yndyrore kanë nevojë për insulinë çdo ditë, pasi ajo u mundëson marrjen e glukozës. Nga ana tjetër, truri, duke zvogëluar prodhimin e insulinës, merr për vete më shumë glukozë nga gjaku.
Kur njerëzit janë nën stres, ata reagojnë në dy mënyra: ose bien në depresion, ose shtojnë peshë. Personat depresivë, si pasojë e stresit, shpesh harrojnë të hanë. Ndërsa ata që hanë më pak, janë automatikisht nën ndikimin më të madh të gjendjes psikike.
Personat që si pasojë e stresit hanë më shumë, ndjehen më të qetë, pasi ushqimi në njëfarë mënyre shërben si katalizator i stresit. Ata reagojnë mirë ndaj presionit dhe madje nxisin prodhimin e “përbërësve vetjakë qetësues”, të cilat lehtësojnë pasojat e stresit, ndërkohë që prodhimi i insulinës nuk ndalet.
Truri vlerëson se nuk merr sheqer të mjaftueshëm dhe kërkon më shumë. Nëse jeni nën stres të vazhdueshëm, rritet konsumi i ushqimit, gjë që e bën çdo tentativë për humbjen e kilogramëve një mision të pamundur. Truri ynë drejton ndjenjën e urisë dhe nevojën për sheqer, dhe do të përpiqet të sigurojë sasinë e nevojshme të sheqerit për vete.
Është e lehtë të thuhet “zvogëloni presionin dhe stresin e përditshëm”. Megjithatë, ekzistojnë metoda që mund ta lehtësojnë stresin. Ekspertët pohojnë se dietat e lehta janë gjithmonë më të shëndetshme dhe opsione më të mira në krahasim me ato që premtojnë rezultate në afat të shkurtër. Nëse dëshironi diçka të ëmbël, hani ëmbëlsirën tuaj të preferuar, por jo çdo ditë.
Për ushqimet ndërmjetëse, përpiquni të zgjidhni alternativa më të shëndetshme, siç janë frutat. Merruni rregullisht me sport dhe qëndroni pranë njerëzve të këndshëm, pasi ata kanë aftësinë t’ju largojnë stresin për disa minuta. Mundohuni të organizoheni sa më mirë në punë dhe në shtëpi, dhe mos kërkoni gjithmonë perfeksionin. Duke shmangur stresin në jetën e përditshme, do të ndiheni më mirë, do të jeni më të shëndetshëm dhe do të humbni kilogramët e tepërt.
