Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit mars janë shqiptuar 295 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit.
Në një komunikatë për media, Policia ka theksuar se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik, duke vënë në rrezik jetën e shoferëve dhe të gjithë përdoruesve të tjerë të rrugës.
Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të ruajnë përqendrimin maksimal gjatë vozitjes dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie mund të ketë pasoja fatale për jetën e njerëzve.
Autoritetet policore kanë rikujtuar qytetarët se shkeljet e rregullave të trafikut mund të raportohen në stacionet policore më të afërta, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat e urgjencës: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia Rajonale e Ferizajt ka garantuar gjithashtu se konfidencialiteti i të dhënave të raportuesve do të ruhet plotësisht.
