Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë për në datën 9 korrik. Gjatë paraqitjes së tij në gjykatë, Meta kërkoi kryerjen e një ekspertize të pavarur financiare mbi pasuritë dhe të ardhurat e tij.
Ai kërkoi një ekspertizë të tillë, duke theksuar se duhet të aplikohet e njëjta metodologji si ajo e përdorur për vetingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Kërkoj një ekspertizë të pavarur, duke përdorur metodologjinë e përdorur për prokurorët dhe gjyqtarët nga vetingu,” deklaroi ai para gjykatës.
Meta nënvizoi integritetin e tij, duke theksuar se nuk ka cenuar kurrë interesat kombëtare, publike apo personale të askujt. “Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Kam njohur vetëm rrogën e shtetit dhe edhe atë e kam depozituar në shtëpi,” u shpreh ai. Ai kërkoi që ekspertiza të bëhet si në nivel individual, ashtu edhe familjar, për të gjithë periudhën kur ka qenë bashkëshort, me qëllim që të verifikohet çdo e ardhur e ligjshme e regjistruar në dokumentet shtetërore.
Ai njoftoi se deri javën e ardhshme do të koordinojë me avokatin e tij për ndarjen e dëshmitarëve sipas episodeve të çështjes. Ish-presidenti ngriti dyshime mbi mënyrën e llogaritjes së pasurive të tij, duke theksuar se gabimet e konstatuara nuk janë të rastësishme.
“Gabimet e bëra në llogaritjen e pasurive nuk janë rastësi. Ekspertiza financiare ndaj meje nuk është rastësi. Edhe fakti që kam bërë kallëzim për rrëmbimin tim dhe ende sot nuk jam pyetur, nuk është rastësi,” shtoi Meta, duke sugjeruar një qëllim prapa këtyre veprimeve.
Meta argumentoi se ka qenë deputet dhe ministër i Jashtëm që në moshën 22-vjeçare, duke marrë rroga të larta shtetërore dhe dieta të shumta gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Ai shprehu habinë për mospërfshirjen e dietave në llogaritje, me argumentin se ato “i merr për t’i shpenzuar”.
“Është absurde t’i thuash një ministri të jashtëm, që e presin me shoqërues, me dreka darka zyrtare, që i ke shpenzuar. Është absurde kur ti del jashtë vendit si president, ku sapo zbret, të pret Secret Service dhe gjithçka tjetër është e paguar, të pretendosh se duhet të shkosh në dyqan t’i shpenzosh,” përfundoi Meta.
