Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se intervistat me kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit do të mbahen më 1 korrik 2026, duke ftuar njëkohësisht palët e interesuara që të monitorojnë procesin.
Sipas njoftimit të KPK-së, procedura do të zhvillohet në bazë të Rregullores 07/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores 07/2024 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në nenin 3 (6A) të Rregullores 07/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores 07/2024 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës njofton palët e interesuara për monitorim, se intervistat për Kryeprokuror të Shtetit do të mbahen me datë 01 korrik 2026”, thuhet në njoftim.
KPK ka bërë të ditur se hartimi i pyetjeve standarde nga Paneli Vlerësues do të nisë në orën 08:00, ndërsa intervistat do të zhvillohen duke filluar nga ora 11:00 në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Hartimi i pyetjeve do të filloj në ora 08:00, ndërsa intervistat do të fillojnë nga ora 11:00, në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, salla e takimeve kati VI”, njofton KPK.
Institucioni ka ftuar organizatat dhe palët e interesuara që të konfirmojnë paraprakisht pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre për shkak të kapaciteteve të kufizuara të sallës.
“Njoftohen të gjithë të interesuarit që t’u përmbahet të gjitha rregullave dhe orareve të përcaktuara nga KPK-ja dhe me mirëkuptim luten që për shkak të hapësirës së kufizuar, të konfirmojnë emrin e një përfaqësuesi/monitoruesi duke kontaktuar Zyrën për Komunikim Publik deri më datë 26 qershor 2026”, thuhet në njoftim.
Sipas orarit të publikuar nga KPK-ja, i pari që do të intervistohet është kandidati Atdhe Dema në orën 11:00. Pas pauzës nga ora 12:00 deri në 13:00, intervista do të vazhdojë me Naim Abazi në orën 13:00, Rafet Halimi në orën 14:15, Shqipdon Fazliu në orën 15:30 dhe Zejnulla Gashi në orën 16:45.
Procesi i intervistimit do të zhvillohet në prani të monitoruesve të interesuar, në kuadër të procedurës për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
