Një skemë kriminale tronditëse është zbuluar në Britaninë e Madhe, ku një grua që paraqitej si punonjëse seksi u jepte fshehurazi doza të rrezikshme qetësuesi klientëve të saj, me qëllim që t’i grabiste së bashku me bashkëpunëtorin e saj. Dy persona humbën jetën si pasojë e helmimit.

31-vjeçarja Antina Mihai dhe 30-vjeçari Madalin Dumitru pranuan para gjykatës fajësinë për vrasje nga pakujdesia të dy burrave, një 80-vjeçari nga Gloucestershire dhe një 37-vjeçari nga Oxfordshire.

Po ashtu, në Gjykatën e Oksfordit ata u deklaruan fajtorë edhe për dy raste të tjera helmimi ndaj burrave në jug të Anglisë, të cilët fatmirësisht mbijetuan.

Sipas hetimeve, nga gushti i vitit 2024 deri në korrik 2025, dy të akuzuarit, të cilët më parë jetonin në Ilford të Essexit, kishin në shënjestër burra që kërkonin shërbime seksuale. Fillimisht ata merrnin parapagime nga viktimat dhe më pas Mihai i vizitonte në banesat e tyre.

Duke u shtirur si punonjëse seksi, ajo u jepte fshehurazi viktimave substancën GBL (gama-butirolakton), e cila në organizëm shndërrohet në GHB (gama-hidroksibutirat), një lëndë me efekt të fortë qetësues dhe narkotik.

80-vjeçari Malcolm King, banues në një fshat pranë Cirencester në Gloucestershire, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij më 21 gusht 2024. Ndërsa 37-vjeçari Gary Muat u gjet i vdekur në banesën e tij në Banbury më 13 korrik të vitit të kaluar.

Pas autopsisë, hetuesit e policisë së Thames Valley zbuluan se Mihai kishte helmuar Muat duke i hedhur GBL në një pije alkoolike.

Autoritetet lëshuan një njoftim për të gjitha forcat policore në vend, me qëllim verifikimin e rasteve të tjera të vdekjeve të pashpjegueshme që mund të lidhen me çiftin.

Ndërkohë, njësia e krimeve të rënda e policisë së Gloucestershire rihapi hetimin për vdekjen e Malcolm King, e cila fillimisht ishte konsideruar jo e dyshimtë për shkak të problemeve shëndetësore që ai kishte. Analizat e reja toksikologjike treguan se edhe ai ishte helmuar me të njëjtën substancë.

Hetuesit identifikuan gjithashtu dy burra të tjerë në jug të Anglisë, të cilët ishin droguar dhe grabitur nga të akuzuarit, por kishin arritur të mbijetonin. Për arsye ligjore, identiteti i tyre nuk është bërë publik.

Deri tani, autoritetet nuk kanë lidhur me çiftin raste të tjera vdekjesh, helmimesh apo grabitjesh, megjithatë policia nuk përjashton mundësinë që të ketë edhe viktima të tjera.

Gjatë paraqitjes së tyre në gjykatë përmes videokonferencës, të dy të akuzuarit pranuan fajësinë për vrasjen nga pakujdesia të dy viktimave, si dhe për dy akuza të tjera që lidhen me administrimin e helmit.

Drejtuesi i hetimit në policinë e Gloucestershire, detektivi Adam Stacey, deklaroi se të akuzuarit synonin burra që kërkonin shërbime seksuale, i drogonin fshehurazi derisa humbnin ndjenjat dhe më pas i grabisnin. Sipas tij, në rastin e Malcolm King, veprimet e tyre “cinike dhe të paramenduara patën pasoja fatale”.

Nga ana tjetër, detektivi Michael Roddy nga policia e Thames Valley tha se veprimet e autorëve rezultuan vdekjeprurëse për Gary Muat dhe shprehu kënaqësinë që familja e viktimës më në fund mori përgjigje pas përfundimit të hetimeve.

Antina Mihai dhe Mădălin Dumitru mbeten në paraburgim dhe do të dënohen në një seancë të mëvonshme nga Gjykata e Oksfordit. Gjyqtarja Brunner i paralajmëroi se përballen me dënime të gjata me burg./Top Channel