**Ferizaj: Arrestohet burri pasi sulmoi fizikisht bashkëshorten**

Më 24 qershor, rreth orës 23:45, Policia e Ferizajt ka marrë një raportim për një rast të dyshuar dhune në familje. Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një grua dyshohej të ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje familjare. I dyshuari ishte larguar nga banesa para arritjes së autoriteteve.

Viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Emergjente të Ferizajt për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar dhe cilësuar si “Lëndim trupor”. Pas veprimeve hetimore të ndërmarra, i dyshuari, një burrë 41-vjeçar, u arrestua dhe iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë të kryhen nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje.