**Përleshje me armë dhe kanosje në Prishtinë: Arrestohen tre të dyshuar**
Një përleshje e dhunshme mes disa personave në Prishtinë të martën pasdite ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve dhe konfiskimin e një arme zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50. Gjatë konfliktit, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një person tjetër, duke rrezikuar sigurinë e të pranishmëve.
Policia bën të ditur se pas njoftimit për një përleshje mes disa personave, ku njëri prej tyre kishte drejtuar armën drejt një personi tjetër, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë dy zyrtarë policie jashtë detyre. Ata kanë përdorur spraj për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë, janë arrestuar tre meshkuj kosovarë, të dyshuar për incidentin, dhe është konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.
