Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zgjatur edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se rajoni vazhdon të përbëjë një kërcënim për sigurinë amerikane.
Sipas një publikimi në Regjistrin Federal, vendimi synon individë dhe grupe që mbështesin dhunën ekstremiste në rajon, si dhe aktivitete që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve të paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Uashingtoni vlerëson se ende ekzistojnë rrethana që kërkojnë vazhdimin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme dhe të mekanizmave të sanksioneve lidhur me Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila u përfshi në masat shtesë përmes ndryshimeve të urdhrit ekzekutiv të vitit 2003, është gjithashtu pjesë e kontekstit të këtyre masave.
“Më 8 janar 2025, presidenti nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14140, duke marrë parasysh ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të rajonit, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, për t’u përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që gërryen sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike, si dhe për të shmangur sanksionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” theksohet në publikim.
Veprimet e individëve që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, si dhe situata në rajon që pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike, si dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare, e shpallur fillimisht me Urdhrin Ekzekutiv 13219 dhe e modifikuar e zgjeruar disa herë që atëherë, duhet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026. Prandaj, në përputhje me ligjin amerikan, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor zgjatet edhe për 1 vit.
Gjendja e jashtëzakonshme u shpall fillimisht më 26 qershor 2001, me Urdhrin Ekzekutiv 13219, me qëllim adresimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së nga dhuna ekstremiste në rajon dhe pengimi i zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë ose Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Më vonë, në vitin 2003, ajo u ndryshua për të përfshirë edhe pengimin e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001. Në vitin 2021, presidenti zgjeroi fushëveprimin për të përfshirë edhe korrupsionin e përhapur si një kërcënim për integrimin transatlantik.
