Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, në një status në rrjetin social, Facebook, ka thënë se veprimtaria e vazhdueshme e Velkjo Odaloviq në krye të Komisionit të Qeverisës së Serbisë për persona të zhdukur përbën fyerje dhe provokim për viktimat e luftës në Kosovë.

Islami tha se Odaloviq po udhëheqë fushatë agresive duke u përpjekur të mohojë masakrat ndaj civilëve shqiptarë.

Postimi i plotë:

Reagim me shkas,

Veprimtaria e vazhdueshme e Veljko Odaloviqit në krye të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur përbën një provokim të hapur dhe një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave të luftës në Kosovë.

Deri në vitin 1999, Odaloviq ishte zyrtar i lartë i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, duke mbajtur pozicionin kyç të Kryetarit të Qarkut të Kosovës me qendër në Prishtinë. Pas tërheqjes së forcave serbe, ai vazhdoi karrierën e tij politike në Beograd. Që nga viti 2006, prania e tij në krye të çështjes së personave të zhdukur ka shkaktuar tensione të vazhdueshme dhe bllokim të qëllimshëm të dialogut në Bruksel, për shkak të kundërshtimeve të ashpra dhe legjitime nga pala e Kosovës.

Sot, Odaloviq vazhdon të udhëheqë një fushatë agresive që bazohet në dy drejtime të rrezikshme:
Arsyetimi i krimeve të luftës: Ai përpiqet të mohojë publikisht masakrat ndaj civilëve shqiptarë. Së fundmi, duke komentuar arrestimin e pesë të dyshuarve në rastin e njohur si “Reçaku dy”, ai e quajti zbatimin e ligjit si “presion ndaj serbëve” dhe kërcënoi se ky është “një mesazh për të dëbuarit”.

Ai synon të manipulojë faktorin ndërkombëtar, duke i paraqitur serbët lokalë si të rrezikuar nga shqiptarët, me qëllim që të fshehë përgjegjësinë shtetërore të Serbisë dhe të pengojë integrimin e tyre.

Institucionet e Kosovës mbeten të vendosura në kërkesën për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve, duke refuzuar që kjo dosje humanitare të mbahet peng e figurave që i shërbyen regjimit të Millosheviqit!