Në një kafene të vogël në qendër të Vitomiricës, Mehmet Bajraj dhe Omer Daciq takohen pothuajse çdo pasdite. Njëri shqiptar, tjetri boshnjak, por prej vitesh miq në të njëjtën tavolinë. Për ta, këto takime janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë dhe një dëshmi se komunikimi, respekti dhe afërsia mes njerëzve vazhdojnë të mbeten vlera të rëndësishme në këtë vendbanim të komunës së Pejës.
Mehmet Bajraj nga komuniteti shqiptar thotë se takimet e rregullta me miqtë e tij janë kthyer në një zakon të përditshëm.
“Shpesh, sa herë që jemi pak më gjatë të lirë, e kërkojmë njëri-tjetrin në telefon se ku po pimë nga një kafe. E kemi një vend ku takohemi rregullisht dhe kalojmë kohë bashkë”, thotë ai.
Ajo që i bashkon banorët nuk janë vetëm vitet e kaluara pranë njëri-tjetrit, por edhe bindja se mirëkuptimi dhe komunikimi janë ndër arritjet më të rëndësishme të Kosovës së pasluftës. Sipas Bajrajt, prania e komuniteteve të ndryshme e pasuron jetën e përditshme dhe krijon mundësi për shkëmbim përvojash, kulturash dhe idesh.
“Sa më shumë komunitete që jetojnë në një vend, ka më shumë kultura, shfaqen mendime më të mira dhe merren përvoja të mira prej secilit komunitet”, shprehet ai.
Bajraj vlerëson se raportet e mira ndërmjet banorëve kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e Vitomiricës.
“Po mos të kishte qenë komunikimi i ndërsjellë i mirë, nuk do të ishte kjo Vitomiricë e ndërtuar kaq bukur. Po mos të kishim komunikuar mes vete si nga puna ashtu edhe nga bashkëjetesa, nuk do të ishte kjo që është sot”, thotë Bajraj.
Të njëjtin vlerësim për bashkëjetesën e jep edhe Omer Daciq nga komuniteti boshnjak. Ai thotë se Vitomirica prej vitesh njihet për raportet e mira ndërmjet komuniteteve.
“Keni ardhur në një vend ku tregohen raporte të mira ndërnacionale dhe ndëretnike. Vitomirica njihet gjithmonë për këtë. Ne shoqërohemi me njëri-tjetrin, bashkëpunojmë dhe kur duhet e ndihmojmë njëri-tjetrin”, thotë Daciq.
Përvoja e tij shumëvjeçare si profesor e ka bindur se respekti mes komuniteteve është kultivuar edhe në ambientet shkollore.
“Jo vetëm raportet mes profesorëve të nacionaliteteve të ndryshme, por edhe raportet mes nxënësve kanë qenë të mira. Pothuajse asnjëherë nuk kemi pasur incidente mes nxënësve për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, thotë ai.
Bashkëjetesën e përditshme e dëshmojnë edhe banorët e komunitetit egjiptian. Zeqë Beqiraj, i cili prej disa vitesh jeton në Vitomiricë, thotë se raportet me fqinjët janë të mira dhe të bazuara në respekt të ndërsjellë.
“Jetoj prej pesë apo gjashtë vitesh këtu. Me boshnjakë e me shqiptarë e kalojmë mirë. Me fqinjët rrimë bashkë, hamë bashkë dhe flasim bashkë. Nuk kemi telashe”, thotë ai.
Harmonia mes komuniteteve reflektohet edhe në jetën ekonomike të vendbanimit. Refko Baliq, pjesëtar i komunitetit boshnjak që merret me blegtori, thotë se shumica e klientëve të tij janë shqiptarë dhe se bashkëpunimi është pjesë e jetës së përditshme.
“Pjesën me të madhe të klientëve i kam shqiptarë dhe kaloj shumë mirë me ta. Tash është shumë më mirë, ka më shumë liri dhe më shumë mundësi për përparim”, thotë ai.
Për banorët e Vitomiricës, festat fetare dhe kombëtare janë ndër momentet që i afrojnë më shumë komunitetet me njëri-tjetrin.
“Bajramin e festojmë bashkë me të gjithë dhe kur dikush është në nevojë, e ndihmojmë”, thotë Refko.
Edhe Omer Daciq thekson se solidariteti nuk kufizohet vetëm në ditë festash.
“Kur kemi Bajramin, vizitojmë njëri-tjetrin. Në dasma shkojmë kur na ftojnë, ose ata vijnë kur i ftojmë ne. Në raste zie, pavarësisht nëse ftohemi apo jo, shkojmë të gjithë bashkë”, shprehet ai.
Në prag të Ditëve të Çlirimit, banorët thonë se liria duhet të shërbejë si pikë bashkimi për të gjithë qytetarët.
“Liria të jep mundësi shumë. Festat e çlirimit të komunave dhe të krejt Kosovës janë shumë të veçanta dhe duhet të na bashkojnë të gjithëve. Liria të jep hapësirë për jetë, për zhvillim dhe për t’u ngritur ekonomikisht”, thotë Mehmet Bajraj.
Megjithatë, një prej shqetësimeve që bashkon pothuajse të gjitha komunitetet mbetet largimi i të rinjve nga vendi.
“Një numër i madh i të rinjve, si nga komuniteti shumicë ashtu edhe nga komunitetet joshumicë, kanë shkuar jashtë. Kjo është humbje e madhe për ne dhe për shoqërinë kosovare”, vlerëson Daciq.
Për banorët e Vitomiricës, bashkëjetesa nuk është vetëm një koncept apo një slogan. Ajo shihet në tavolinat ku pihet kafeja, në festat që kremtohen së bashku, në solidaritetin për familjet në nevojë dhe në respektin e ndërsjellë mes fqinjëve.
Në një Kosovë multietnike, sipas tyre, liria dhe paqja nuk maten vetëm me përvjetorë dhe ceremoni, por me mundësinë për të jetuar, punuar dhe ndërtuar të ardhmen së bashku.
- Autori i tekstit: Edon Gërbani



